Akordi i arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit që çon drejt ngritjes së dy komisioneve hetimore dhe rikthimin në normalitet të jetës parlamentare, ishte në fokusin e fjalës së gjatë të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë që po zhvillohet në Durrës.
Shefi i qeverisë nuk e fshehu entuziazmin për atë që e quajti “pushim i së qenuri çmendina e muajve të fundit të Kuvendit”, duke kërkuar që tashmë palët të nisin punën për sfidat e procesit të anëtaësimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirën për të komunikuar dhe jo veç për të folur secili për të veta. Por sidoqoftë shumica jonë Kuvendore duhet të vendose në tryezën e komisionit të ligjeve një draft-rezolutë për të nxitur një debat të madh publik lidhur me sfidat kombëtarë të anëtarësimit në BE dhe reformat e masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë pa humbur kohë. Fola jo pa qëllim për sfida kombëtare në numri shumës, pasi sfidat për anëtarësim janë jo vetëm të qeverisë.”
Akuzave se marrëveshja PS-Rithemelim ishte një pazar i tij me Sali Berishën për të goditur SPAK-un dhe për ta njohur si kryetarin e Partisë Demokratike, Rama iu përgjigj duke thënë se PS është flamurmbajtëse e reformës në drejtësi ndaj do të motivojë përherë që ajo të godasë majtas dhe djathtas, kudo ku shkelet ligji.
Sipas tij ashtu siç nuk ka marrëveshje me non-gratën, nuk ka as socialistë të trembur nga SPAK.
“Zhvillimi i fundit për rikthimin e Parlamentit në normalitet si dhe krijimin nga Komisioni i Ligjeve të një mekanizmi që mundëson ballafaqimin e hapur mes shumicës dhe pakicës për ndërmarrjen e nisma ligjore përtej votave të PS, duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet, jo thjesht si qeveri me sfidat kombëtare të procesit të anëtarësimit. UY fol këto ditë për pazare dhe marrëveshje me non-gratën në dëm të drejtësisë dhe njohjen nga ne të zotërisë në ballkon si lider i PD. Ashtu siç është folur lart e poshtë për trembje të socialistëve nga SPAK-u dhe për plane të fshehta për vënien në kontrollin e shumicës së drejtësisë së re. Të gjitha janë broçkulla që tregojnë se sa vështirë e ka një pjesë e bashkësisë tonë shqiptare, e hyshtur nga ata që dëgjon dhe ndjek në politikë, media, apo në mexhelisin e rrjeteve sociale, të kuptojë apo pranojë se PS e kësaj gjenerate po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë. Është shumë tmerrësisht e thjeshtë për t’u kuptuar. Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duar të lira, nga prangat e pushtetit 100 e ca vjeçar të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e Shqipërisë gjykohen e dënohen zyrtarë të niveleve më të larta. Thonë e bënë Amerikanët, por e bëri PS. Në Shqipëri ka një parti që e kishte në program reformën në drejtësi që kur ishte në opozitë. Është një parti që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë, e cila quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Kështu që jo që nuk ka shanc që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e reformës në drejtësi në flamurgrisurën e saj. Kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, majtas dhe djathtas, lart dhe poshtë, e duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë.”
Në shpjegimin e gjatë të Ramës për uljen në tryezë të PS me Rithemelimin, shefi i qeverisë theksoi se këta të fundit pranuan detyrat që iu përcakton Kushtetuta dhe treguan se halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore.
“U pa qartë se s’kishte asnjë pazar. Asnjë marrëveshje, mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në Kushtetutë nga ata që u përpoqën të marrin Parlamentin peng, duke humbur logjikën në kërkim të të pamundurës. Ajo marrëveshje tregon se shumica qeveris dhe pakica bën opozitë, me të drejta dhe detyra të përcaktuara në ligjet demokratike. Halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore.” (A2 Televizion)