Krijimi i botës ‘panserbe’ në Ballkan ishte qëllimi i takimit midis Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të komuniteteve serbe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
I ashtuquajturi takimi ‘panserb’, miratoi projekt deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike për të ardhmen e përbashkët të popullit serb. Deklarata në thelb tenton të mënjanojë organizmat më të lartë ndërkombëtarë të cilët kujdesen për mbrojtjen e minoritete kudo në botë.
Deklarata përbëhet nga 49 pika në të cilat, ndër të tjera, thuhet se “populli serb përfaqëson një entitet unik, se emri i kombit është një dhe se është e pamundur të ndryshohet”. Siç thuhet, i ashtuquajturi Parlamenti gjithëserb deklaron se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë dhe insiston që të përdoret emri i plotë Kosova dhe Metohi”.
“Parlamenti panserb” nuk e mbështet Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua nga 84 vende në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. I ashtuquajturi Parlamenti gjithëserb përbëhet nga përfaqësues të serbëve në organet legjislative dhe ekzekutive, anëtarë të akademive të shkencave dhe arteve, anëtarë të kuvendit të Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësues të tjerë të popullit serb të ftuar nga organizatorët e “Parlamentit gjithëserb”.
Justifikimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së botës serbe, u kujdes ta shpjegonte vetë Aleksandar Vuçiç. Në seancën e përbashkët të delegacioneve të Serbisë dhe Republika Srpska, ai shpjegoi se ditë të vështira e presin Serbinë, para së gjithash për shkak të ngjarjeve në Evropë dhe botë.
"Nëse shikoni Evropën dhe SHBA-të, ato nuk mund të lejojnë që Rusia të fitojë dhe Ukraina të humbasë luftën. Kjo po na çon në një katastrofë botërore. Prandaj interesi ynë jetësor është ruajtja e paqes. Ne u sulmuam, u persekutuam në Luftën e Parë Botërore kemi humbur shumë banorë, po kështu edhe në Luftën e Dytë”, tha Vuçiç.
Vuçiç përmendi Kosovën dhe kërkoi që të gjitha vendet të respektojnë rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244.
“Projektdeklarata e miratuar flet për Kosovën dhe Metohinë, detyrimin për të respektuar rezolutën 1244, por edhe për dialogun si mënyrë thelbësore për zgjidhjen e problemit mes nesh dhe shqiptarëve, sepse nuk ka zgjidhje tjetër veç dialogut dhe këmbënguljes për respektimin e marrëveshjes së Brukselit dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj krijimit të komunave me shumicë serbe”.
Vuçiç ka kujtuar se Serbia është përballur me presion të madh për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se Prishtina nuk ka përmbushur asgjë të përcaktuar as në marrëveshjet e Brukselit dhe as të Ohrit. (A2 Televizion)