Atentat kryeministrit të Sllovakisë

Nga A2 CNN
15 Maj 2024, 15:30 | Bota

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Sllovakinë. Kryeministri, Robert Fico, u plagos me armë zjarri në bark dhe kraharor gjatë një atentati. Ky i fundit ka përfunduar fillimisht pa ndjenja në tokë nga të shtënat me armë, ndërsa më pas është transportuar për në spital, sipas asaj që raportojnë mediat lokale.

Atentati ndaj kryeministrit Fico ka ndodhur në oborrin e një qendre kulturore në qytetin Handlova, ku ai kishte mbajtur një takim qeveritar.

Sipas dëshmitarëve dhe gazetarëve në vendngjarje, në zonë janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri. Mediat sllovake raportojnë se autori i dyshuar i këtij atentati është ndaluar menjëherë nga policia.

Handlova gjendet rreth 180 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Bratislavë. Pamje të xhiruara nga kamera amatore shfaqin policinë që vrapon për të arrestuar autorin e dyshuar. Në reagimin fillestar, presidentja në largim, Zuzana Kaputova, tha se ishte shokuar nga sulmi brutal dhe i pamëshirshëm ndaj zotit Fico. Atentati është dënuar nga i gjithë spektri politik.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli