“Armiqësia” midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të operacionit në Rafah, ka zgjatur vetëm 1 javë. Me një vendim tepër sekret, administrata e Joe Biden ka njoftuar në rrugë jozyrtare komitetet e Kongresit për miratimin e një shume prej 1 miliard dollarësh për Tel-Avivin.
Lajmi është konfirmuar nga Wall Street Journal dhe Washington Post. Një zyrtar amerikan i tha "The Washington Post" se "transfertat e armëve po vazhdojnë sipas planit", duke iu referuar sakaq komenteve të këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan, të bërë para disa ditësh se Shtetet e Bashkuara "po vazhdojnë të dërgojnë ndihmë ushtarake".
Paketa e re do të përfshijë raketa tankesh, mortaja dhe automjete taktike të blinduara. BBC thekson se, transferimet e armëve në Izrael janë bërë një detyrim politik për Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.
Kritikët thonë se vendimi i Bidenit për të avancuar me paketën e armëve zvogëlon përpjekjet e Uashingtonit për të frenuar veprimet ushtarake të Izraelit në Liban dhe Gaza. Senatori Chris Van Hollen, një aleat i Shtëpisë së Bardhë, e kritikoi vendimin, pasi kërkoi garanci nga Benjamin Netanyahu për hapjen e rrugëve për dërgimin e ndihmave në Rafah.
“Ne nuk duhet të vazhdojmë me ndonjë transferim shtesë të armëve sulmuese, deri në momentin që Shtetet e Bashkuara të marrin garanci të qarta nga qeveria Netanyahu se shqetësimet e presidentit Biden në lidhje me Rafah janë adresuar dhe kërkesat e tij për dërgimin e ndihmës humanitare të janë përmbushur. Kjo lëvizje nënvlerëson vendimin e mëparshëm të presidentit dhe nuk duhet të miratohet", tha Chris Van Hollen, senator demokrat.
Sakaq, luftime të ashpra janë zhvilluar pranë Rafahut. Tanket izraelite kanë depërtaur në pjesën lindore të Rafahut, duke arritur në disa lagje të banuara të qytetit kufitar jugor të Gazës, ku më shumë se një milion njerëz janë strehuar.
OKB-ja ngre alarmin për viktima të tjera civile. Ushtria izraelite tha se kishte shkatërruar disa celula militante dhe një pikë lëshimi nga ku raketat e Hamasit sulmonin trupat izraelite. (A2 Televizion)