
Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka tronditur tregjet, duke e rikthyer çmimin e naftës amerikane mbi 80 dollarë për fuçi.
Kompania shtetërore e naftës e Kuvajtit deklaroi se një nga objektet e saj kryesore është goditur nga një sulm iranian, ndërsa mediat irakiane raportojnë se konsullata amerikane në Erbil aktivizoi mbrojtjen ajrore mes sulmeve me dronë.
Konflikti, i cili filloi kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit në fund të shkurtit me shpresën për të çaktivizuar programet e tij bërthamore dhe raketore dhe për të degraduar aleatët e tij rajonalë, ka çuar në ndërprerje të mëdha të furnizimit me energji, frikë për inflacionin global dhe një betejë për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Teherani njoftoi se ka goditur me raketa dhe dronë bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Garda Revolucionare pretendon se në Kampin Arifjan janë vrarë disa ushtarë amerikanë, ndërsa në bazën Ali Al Salem janë shkatërruar një radar, një depo armësh dhe një hangar dronësh.
CENTCOM konfirmoi se dy ushtarë amerikanë u vranë dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas sulmit në Jordani. Ndërkohë, ushtria amerikane përfundoi natën e tetë radhazi të goditjeve kundër Iranit, duke shënjestruar mbrojtjen ajrore, sistemet e mbikëqyrjes bregdetare dhe objektet ushtarake.
(A2 Televizion)