Lordi Mandelson, më i famshëm për rolin e tij si këshilltar pijari i ish-kryeministrit Tony Blair, ka mbërritur në Uashington DC për të marrë postin e tij si ambasador britanik në SHBA.
Sipas mediave të huaja, ai do të nisë punën të hënën, me qeverinë që shpreson të ndërtojë ura me administratën Trump dhe të përjashtojë mallrat britanike nga tarifat globale që presidenti i ri ka kërcënuar të vendosë.
Mandelson, i cili fitoi pseudonimin Princi i Errësirës ndërsa shërbente si ministër në qeverinë e Blair, është përballur me një udhëtim të ndërlikuar deri në emërimin e tij, me administratën Trump që fillimisht u raportua se kishte menduar të mos jepte miratim.
Ai është distancuar nga komentet e mëparshme që bëri për presidentin, duke përfshirë atë se Trump ishte një "rrezik për botën" dhe se ishte "një nacionalist i bardhë dhe racist".
Mandelson tha se komentet e tij të kaluara ishin "fëminore dhe të gabuara". "Në 2019, isha pak i inatosur," tha Mandelson, shkruan A2 CNN.
Ai e vlerësoi Trumpin në një intervistë për Fox News si një person "të këndshëm" dhe "me mendje të drejtë" që mund të bëhej "një nga presidentët amerikanë më të rëndësishëm që kam njohur në jetën time". (A2 Televizion)