Nga Korça, eurodeputeti Bullgar Andrey Kovatchev njoftoi se javën e ardhshme miratohet raporti vjetor i zgjerimit në Strasburg dhe shprehu mbështetjen që Shqipëria e Mali i Zi të jenë pjese e zgjerimit të BE.
Lidhur me protestat në Shqipëri, duke marrë shkas nga përvoja bullgare, ai theksoi se duhet dëgjuar zëri i qytetarëve dhe të gjendet zgjidhja më e mirë përmes dialogut.
“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi përsëri në Shqipëri së bashku me kolegët e mi nga parlamenti bullgar. Javën e ardhshme në Strasburg. Ne do të miratojmë në seancë plenare raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë. Ne mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria dhe është shumë mirë që të gjitha partitë shqiptare janë aq të përkushtuara ndaj integrimit europian. Ne shpresojmë në Parlamentin Europian, por dhe kolegët e mi nga parlamenti bullgar, të cilët gjithashtu mbështesin fuqishëm integrimin europian të Shqipërisë, që zgjerimi i radha i Bashkimit Europian të jetë me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Ne po monitorojmë shumë nga afër çdo zhvillim. Kjo sigurisht i takon klasës politike në Shqipëri që ta zgjidhë dhe të ndjekë të gjitha standardet, veçanërisht ato ekologjike, me të gjitha investimet që duhen bërë. Ne nuk po ndërhyjmë në këtë pjesë, por sigurisht që do të ketë një tekst në raport progresin që lidhet me përmbushjen e të gjitha ligjeve dhe standardeve që kanë të bëjnë me ekologjinë, por dhe me zhvillimin rajonal dhe turizmin. Është mirë të dëgjohet zëri i popullit nëse gjithçka është e qetë dhe paqësore dhe kjo është gjithashtu thirrja jonë për të gjitha partitë në pushtet dhe ato të opozitës të jenë të qeta, të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët”.
(A2 Televizion)