
“Altin Hajrit, Gjokës, Troplinit dhe Ramës (ka shumë mbiemra ky njeri) armikut të egër të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon, por nuk harron”. Këtë shënim i ka lënë kreu demokrat Sali Berisha kreut të SPAK-ut Altion Dumani. Në një deklaratë për mediat pas paraqitjes së tij si çdo të hënë pranë organit të akuzës, Berisha akuzoi Dumanin duke e cilësuar si monstër të të votës së lirë të qytetarëve. Sipas tij nga 48 dosje të krimit zgjedhor, kanë penalizuar vetëm një.
“Kjo është letra që unë i lashë një monstre të votës së lirë të shqiptarëve. Një monstre të vërtetë të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilin Kushtetuta e detyron të hetojë krimin zgjedhor. Dhe unë kam sot detyrimin t’u informoj se nga 48 dosje të shqyrtuara, kanë penalizuar vetëm një. Ndërkohë që farsa elektorale zgjedhore është universalisht e konfirmuar tashmë nga OSBE/ODIHR që vëzhgoi zgjedhjet, nga deputetët e Këshillit të Evropës, nga deputetët e Parlamentit Evropian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian dhe IBAR. Pra, me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura nga opozita, por që të gjitha këto për armiqtë e votës së lirë janë hiç asgjë ose nuk ekzistojnë. Edhe njëherë, e ripërsëris, sulmet e mia të merituara ndaj Altin Troplinit dhe paraardhësit të tij, xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Kraja, kanë qenë të lidhura para së gjithash dhe mbi të gjitha me qëndrimin e tyre ndaj dosjeve të famshme të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës. Me atë akt ata dëshmuan në mënyrë flagrante armiqësinë ndaj votës së popullit opozitar”, theksoi Berisha.
(A2 Televizion)