Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance u tërhoq nga një udhëtim i planifikuar për të takuar negociatorët iranianë në Zvicër të premten për të filluar bisedimet komplekse për zbatimin e marrëveshjes 14-pikëshe me Iranin. Kështu ka bërë me dije një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarët amerikanë thanë këtë javë se do të mbanin një ceremoni zyrtare nënshkrimi për marrëveshjen SHBA-Iran në Gjenevë, por ministria e jashtme e Iranit hodhi dyshime mbi këtë, duke thënë se ishte e panevojshme pasi presidentët e të dy vendeve nënshkruan marrëveshjen të mërkurën.
Vance dhe delegacioni i SHBA-së ishin gati të largoheshin sapo të finalizoheshin planet për bisedimet, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë në një deklaratë të enjten. “Por logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, thuhet në deklaratë. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga qeveria e Iranit.
Në një konferencë për mediat, JD Vance nuk komentoi për fluturimin në Zvicër por theksoi se që nga e premtja fillon periudha 60-ditore e paqes me Iranin.
"Unë do të thosha se periudha 60 ditore filloi zyrtarisht sot. Ajo u nënshkrua me vonesë dhe mund të jetë nënshkruar edhe teknikisht, e dini, për shkak të ndryshimit të orës, mendoj se është nënshkruar teknikisht sot, në orën e Iranit. Pra, po, marrëveshja filloi dje. Ne do të fillojmë sot 60 ditët e orës", tha JD Vance.
Sakaq, Donald Trump ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara e kanë “mposhtur plotësisht” Iranin dhe se memorandumi i mirëkuptimit “ndoshta përbën dorëzim pa kushte”. Në një intervistë me Axios, presidenti mori përgjegjësinë për bllokadën detare të imponuar nga SHBA-të. “Kush tjetër mund të kishte zbatuar një bllokadë si kjo? Unë zbatova një bllokadë detare ku asnjë anije nuk mund të kalonte”, tha ai.
Trump pranoi për Axios se negocioi marrëveshjen me Iranin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe fillimin e një depresion ekonomik global. Megjithatë, ai mohoi se përvoja e kishte dobësuar atë në ndonjë mënyrë. "Nuk ka kufij për pushtetin tim", theksoi ai. "Nuk kam nxjerrë asnjë mësim", shtoi ai. (A2 Televizion)