
Beogradi zyrtar ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar importin e bakrit dhe produkteve të bakrit të prodhuara në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper.
Vendimi është marrë nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP), e cila ka ngrirë dërgesat e kompanisë pas dyshimeve për përdorim të punës së detyruar në minierat e bakrit në Bor, në lindje të Serbisë.
Sipas autoriteteve amerikane, hetimet janë mbështetur në dëshmi punëtorësh, materiale fotografike dhe video, si dhe raporte të organizatave joqeveritare dhe studime akademike. Në këto dokumente pretendohet se punëtorët janë përballur me kufizim të lirisë së lëvizjes, mbajtje pagash, orë të zgjatura pune, si dhe presione e kërcënime.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi vendimin si një goditje për ekonominë serbe, duke theksuar se qeveria do të mbështesë kompaninë për të përballuar pasojat që mund të sjellë masa amerikane në eksportet e saj.
“Është e qartë se në një konflikt gjeopolitik mes fuqive të mëdha, SHBA-së dhe Kinës, edhe ne po paguajmë çmimin”, deklaroi Vuçiç, duke lënë të kuptohet se vendimi lidhet edhe me rivalitetin mes dy superfuqive.
Nga ana tjetër, kompania kineze Zijin Copper ka mohuar akuzat, duke deklaruar se respekton legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare të punës dhe të drejtave të njeriut.
Kjo nuk është hera e parë që një kompani kineze me aktivitet në Serbi përballet me masa të tilla nga SHBA. Më herët, autoritetet amerikane kanë ndaluar edhe importin e produkteve të një tjetër kompanie kineze që operon në Serbi, mbi baza të ngjashme që lidhen me dyshimet për punë të detyruar. (A2 Televizion)