
Emisioni “Mega Sport” nga Altin Sulçe në A2CNN ka mësuar nga burime pranë përfaqësuesit të lojtarit Granit Xhaka, se për lojtarin me origjinë nga Kosova kane shfaqur interes gjigantët e Realit të Madridit.
Më konkretisht trajneri Jose Mourinho ka patur një bisedë me kapitenin e Zvicrës.
Murinho e njeh Xhakën që prej kohës kur ishte trajner i Tottenham dhe lojtari luante me Arsenalin. Xhaka i kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e "galaktikëve". Nëse finalizohet transferimi, paga e Xhakës te "Los Blancos" mund të shkojë deri në 7 milionë euro në sezon.
Duke komentuar lajmin e bujshëm, trajneri Gentian Mezani tha në “Mega Sport” se kjo lëvizje do të ishte diçka shumë e mirë jo vetëm për Xhakën, por edhe për shqiptarët në tërësi. Mezani vlerëson rolin e Xhakës si lider, duke theksuar se futbolli fillon që në dhomat e zhveshjes.

“Do ishte diçka shumë e mirë dhe unë shpresoj që të konkretizohet sepse për Xhakën dhe për ne si shqiptarë do ishte diçka shumë e mirë. Edhe goli i tretë nisi nga këmbët e tij. Futbolli fiton nga dhomat e zhveshjes dhe është rëndësia e liderit. Xhaka është ai lideri që Zvicrës s’duhet t’i mungojë në asnjë ndeshje dhe asnjë grumbullim. Ai është me të vërtetë një lider si jashtë fushe, edhe brenda fushës. Aty fillon futbolli te dhomat e zhveshjes, se sa më e fortë dhe e bashkuar të jetë, aq më shpejtë vijnë rezultatet”, u shpreh Mezani.
(A2 Televizion)