
Zvicra ka regjistruar një fitore bindëse 4-1 ndaj Bosnjë-Hercegovinës, në një ndeshje që u vendos plotësisht në pjesën e dytë dhe u vulos nga goli me penallti i kapitenit Granit Xhaka.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara. Ndryshe ndodhi pas pushimit, kur helvetët rritën ndjeshëm ritmin e lojës.
Zvicra zhbllokoi sfidën në minutën e 75-të me Manzambin, i cili kishte hyrë nga stoli. Sulmuesi rezultoi vendimtar edhe më pas, ndërsa Vargas dyfishoi avantazhin për skuadrën zvicerane.
Në minutën e 90-të, Manzambi realizoi golin e dytë personal, duke e çuar rezultatin në 3-0. Boshnjakët reaguan me Mahmic, i cili ngushtoi diferencën, por goli i tij shërbeu vetëm për statistikë.
Në minutat shtesë, Granit Xhaka u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke vulosur fitoren 4-1 të Zvicrës dhe një paraqitje dominuese të përfaqësueses helvete.
Zvicra ka katër pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa Bosnjë-Hercegovina mbetet me një pikë.
(A2 Televizion)