Babagjyshit i bllokohen dhuratat në Kanalin e Panamasë

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2023, 10:44 | Bota

Babagjyshit i bllokohen dhuratat në Kanalin e Panamasë

Prindërit në Europë që kanë parashikuar t'u blejnë fëmijëve të tyre celular të ri apo pajisje elektronike si dhuratë për Krishtlindje duhet të mendojnë për një zgjidhje alternative pasi vonesat e transportit të mallrave nga Kina, po kërcënojnë edhe festat.

Anijet e mëdha të kontejnerëve që transportojnë “dhuratat” ose sendet jetike për sezonin festiv po përjetojnë javë të tëra vonesash në Kanalin e Panamasë, ku niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, duke vështirësuar lëvizjen e tyre.

Anijet tashmë po presin një ose dy javë në radhë në vend të tetë deri në dhjetë orëve, që ka qenë një normë e zakonshme më parë.

Kjo do të thotë që blerësit të cilët po presin iPhone-ët e rinj, televizorët, biçikletat për stërvitje, rrobat dhe dritat e pemëve, mund të mos i marrin ato në kohë për Krishtlindje.

Sipas Marine Traffic rreth 176 anije nga Kina dhe Lindja e Mesme kaluan Kanalin e Panamasë këtë javë, ose 71 më pak se vitin e kaluar.

Disa kompani kanë paguar deri në 4 milionë dollarë për të lëvizur në pjesën e përparme të radhës dhe për të anashkaluar kohën e pritjes, e cila duke përllogaritur një mesatare të përgjithshme është rritur nga 4.3 ditë në 7 nëntor në 11.7 ditë gjatë dhjetorit, sipas të dhënave të Autoritetit të Kanalit të Panamasë.

Përpara se rruga jetike e transportit të përjetonte vonesa, rreth 38 anije kalonin çdo ditë, por me nivelin e kufizuar të ujit, vetëm 24 anije kanë mundur të kalojnë çdo ditë që nga 7 nëntori.

Disa anije po ndryshojnë kursin e lëvizjes duke përshkuar Kanalin e Suezit për të shmangur vonesat. Një ndër to është Slot-Nielsen me bazë në Londër, por kjo lëvizje duhet thënë se po i ngarkon klientëve koston shtesë të rrugës më të gjatë, e cila zgjat 32 ditë.

Bllokimi në kanal mund të ketë një ndikim më të gjerë në të gjithë zinxhirin global të furnizimit, me ekspertët që paralajmërojnë gjithashtu se Krishtlindjet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë do të preken ndjeshëm.

Marco Forgione, nga Instituti i Eksportit dhe Tregtisë Ndërkombëtare, i cilësoi vonesat katastrofike. "Ka mallra që nuk do të jenë këtu në kohë për Krishtlindje", tha ai për Sunday Mirror.

Kostoja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë mund të rritet gjithashtu sepse drithërat dhe karburantet janë ndër furnizimet e tjera kryesore të transportuara përmes Kanalit të Panamasë, që tani po përjetojnë vonesa.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani