Ka një plan real nga 26 vende anëtare të Bashkimit Europian për të sabotuar ekonominë e homologes së tyre të 27-të, Hungarisë. Bindja e Budapestit për të mos i dhënë “OK” paketës së ndihmës prej 50 miliardë euro që Blloku ka përpiluar për Ukrainën, duket se ka acaruar tej mase Brukselin.
Sipas Financial Times, liderët në kryeqytetet europiane janë tërbuar nga 'politika e shantazhit’ që po ndjek Viktor Orban, ndaj një plan sekret për t’i dhënë një shuplakë ekonomisë së Hungarinë është hartuar në Bruksel.
Plani synon drejtpërdrejt ekonominë duke dobësuar monedhën hungareze dhe duke ulur besimin e investitorëve.
Në dokument, sipas FT, thuhet se “në rast se nuk ka marrëveshje në samitin e 1 shkurtit, disa krerë shtetesh dhe qeverish do të deklarojnë publikisht se në dritën e sjelljes jokonstruktive të kryeministrit hungarez ata nuk mund ta mendojnë që fondet e BE-së t'i jepen në vazhdim Budapestit”.
Kjo lëvizje vjen vetëm një muaj pasi lideri i ekstremit të djathtë vendosi veton duke bllokuar programin e ndihmës për Ukrainën në dhjetor. Qëndrimi moskokëçarës i Orban ka “trembur” europianët ndaj një takim urgjent midis liderëve është caktuar për të enjten.
Madje të premten qarkulloi edhe thashethemi se disa shtete anëtare po shtynin të nxisnin Nenin 7 të Traktatit të Bashkimit Evropian për t'i hequr Hungarisë të drejtën e saj për të votuar nëse Orban vazhdon të bllokojë vendimet e BE-së.
Ekziston një shqetësim aq i madh për lëvizjet e Budapestit, saqë Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel braktisi planet për të dhënë dorëheqjen në qershor mes frikës se Viktor Orbán mund të kryesojë samitet derisa të gjendet një pasardhës.
Megjithatë, diplomatët paralajmërojnë se përdorimi i nenit 7 do të ishte zgjidhja e fundit dhe nuk duhet të përdoret, pavarësisht zemërimit me Hungarinë.
Ndërkohë, sa i përket strategjisë për të përdorur fondet si mjet shtrëngimi, rezulton se ekonomia e Hungarisë është shumë e varur nga tregu i vetëm. Kjo pasi, pothuajse të gjitha eksportet e Budapestit zyrtar kalojnë kufirin drejt vendeve fqinje.
Sipas të dhënave të Komisionit, tregtia brenda BE-së përbën 78% të eksporteve të Hungarisë (Gjermania 28%, Rumania, Sllovakia, Austria dhe Italia 5%), ndërsa 3% shkon në SHBA dhe 3% në Mbretërinë e Bashkuar.
BE-ja tashmë është përpjekur të përdorë fondet si mjete për të detyruar Hungarinë të pajtohet me politikat dhe zbatimin e sundimit të ligjit. Tashmë, 20 miliardë euro fonde janë ngrirë për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e LGBTI+ dhe çështje të tjera.
Por në Budapest nuk kanë qëndruar duarkryq dhe kanë nisur të ngrenë zërin, sapo zbulimi i Financial Times doli në pah. János Bóka, ministri hungarez për politikat e BE-së, i tha FT se vendi i tij "nuk do t’i përkulet presionit" dhe se nuk ka asnjë lidhje midis Ukrainës dhe aksesit të përgjithshëm në fondet e BE.
"Hungaria ka marrë pjesë dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociata”, tha ai.
Më pas në një postim në platformën X, ai shkroi: "Dokumenti, i hartuar nga burokratët e Brukselit, thjesht konfirmon atë që qeveria hungareze ka thënë për një kohë të gjatë: qasja në fondet e BE-së po përdoret për shantazh politik nga Brukseli". (A2 Televizion)