Një ditë pas samitit të Paqes në Paris mes Katarit, Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hamasi zbuti pritshmëritë për një armëpushim të zgjatur në Gaza.
"Suksesi i takimit të Parisit varet nga gatishmëria e Izrealit për t'i dhënë fund agresionit global në Rripin e Gazës", tha Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit, siç raporton Al Jazeera.
Grupi ka deklaruar gjithashtu se lirimi i plotë i pengjeve do të ndodhte nëse Izraeli do t’i lironte mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite.
Më herët, është raportuar se negociatorët amerikanë janë duke bërë progres drejt një marrëveshjeje potenciale, sipas së cilës, Izraeli duhet të ndalojë operacionet ushtarake ndaj Hamasit në Gaza për dy muaj. Në këmbim, Hamasi pritet që të lirojë më shumë se 100 pengje të cilat janë kapur më 7 tetor.
Negociatorët e përfshirë në proces thanë të shtunën se kushtet e reja të marrëveshjes ende të pavulosur do të zhvillohen në dy faza. Në fazën e parë, luftimet do të ndaleshin për të lejuar lirimin e grave të mbetura, të moshuarve dhe pengjeve të plagosura nga Hamasi. (A2 Televizion)