Bombardime të ashpra në jug të Gazës, banorët nuk kanë më ku të shkojnë

Nga Rosalba Bejdo
4 Dhjetor 2023, 11:13 | Bota

Pak ditë pas rinisjes së luftës, Izraeli jo vetëm që nuk ka ndërmend të zbusë operacionin ushtarak në Rripin e Gazës, por njofton zgjerimin e tij. Forcat e mbrojtjes bënë më dije se po e shtrinin ofensivën kundër qendrave të Hamasit në të gjithë territorin, duke sugjeruar një avancim drejt jugut ku janë strehuar shumica e popullsisë. Mëngjesin e së hënës, ushtria lëshoi një urdhër të ri për banorët e Gazës, duke u kërkuar të evakuohen nga 20 zona qendrore e duke publikuar një hartë qe tregon me shigjeta drejt jugut. Por teksa edhe pjesa jugore po përballet me bombardime të rënda, organizatat humanitare paralajmërojnë se banorët nuk kanë më ku të shkojnë.

“Forcat e mbrojtjes vijojnë të zgjerojnë operacionin tokësor kundër qendrave të Hamasit në të gjithë rripin e Gazës. Ushtarët tanë po luftojnë trup më trup me terroristët dhe po i vrasin ata”, tha zëdhënësi ushtrisë Daniel Hagari.

Izraeli ashpërson ofensivën pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkaura, për të mbrojtur civilët. Në qortimin më të fortë deri më tani, sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin tha se popullata civile ishte qendra e gravitetit të luftës dhe se Izraeli po e shtynte atë në krahët e armikut. Deklarata e tij vjen ndërsa tmerri i popullsisë në Gaza nuk po njeh kufij. Banorët në zonën jugore të Khan Junis, u përballën me bombardimet më të ashpra që prej fillimit të luftës.

Ushtria raportoi shënjestrimin e mbi 400 pozicioneve gjatë fundjavës, me pasojë vrasjen e militantëve dhe shkatërrim të infrastrukturës së tyre. Me qindra civilët e varë e të plagosur, ndërsa spitalet nuk po përballojnë dot fluksin e pandalshëm të pacientëve.

Spitali i Alnasse në Khan Junis thuhet të jetë kthyer në zonë lufte. Sipas autoriteteve në Gaza, mbi 15500 persona janë vrarë deri më tani, 6 mijë prej të cilëve fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos