Do sulmonte me koktej molotov Ministrinë ruse të Mbrojtjes, FSB arreston një burrë

Nga A2 CNN
22 Janar 2024, 16:20 | Bota

Do sulmonte me koktej molotov Ministrinë ruse të Mbrojtjes, FSB

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ka arrestuar një burrë në Siberi të akuzuar për përgatitjen e një sulmi me koktej molotov në një ndërtesë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në njoftimin e FSB-së, të cituar nga agjencitë TASS dhe Interfax, personi i arrestuar akuzohet se ka kontaktuar me një "organizatë paramilitare terroriste", përmes internetit në nëntor duke i njoftuar se ka dashur të kryejë një sulm në Barnaul, kryeqyteti i Altait.

Agjencia e lajmeve, Ria Novosti, ka transmetuar një video ku shihet arrestimi i të dyshuarit nga agjentët e FSB-së me fytyrat e mbuluara. I arrestuari akuzohet për "tentativë për realizimin e një sulmi terrorist" dhe përballet me një dënim shumë të rëndë.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022, shërbimet ruse të sigurisë kanë arrestuar shpesh persona të akuzuar për kryerjen ose përgatitjen e sulmeve ndaj zyrave të rekrutimit.

Gjithashtu sot, FSB, e cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, njoftoi se kishte arrestuar një banor të Novokuznetsk në Siberi, i cili akuzohet për dërgimin e parave për të ndihmuar ushtrinë ukrainase, një akt që përbën "tradhti të lartë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos