Në një vendim që bie ndesh me premtimet për të mos ndërhyrë në procedurat ligjore kundër të birit, Joe Biden i ofroi faljen presidenciale djalit të tij Hunter, më pak se dy muaj para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Hunter Biden ishte shpallur fajtor për vepra penale federale lidhur me posedimin në mënyrë të paligjshme të një arme zjarri dhe mospagim taksash.
“Sot kam nënshkruar faljen për djalin tim Hunter. Që nga dita që mora detyrën thashë se nuk do të ndërhyrë në vendimet e departamentit të drejtësisë, dhe e mbajta fjalën teksa pashë djalin tim që përndiqej penalisht në mënyrë të padrejtë. Cilido person i arsyeshëm që sheh faktet në rastin e Hunter, arrin në konkluzionin se Hunter u vu në shënjestër vetëm sepse ishte djali im. Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë pse një baba dhe një president do të merrte këtë vendim”, tha Biden.
Vendimi u mor disa javë para se Hunter Bidenit t’i jepej dënimi pasi u shpall fajtor për rastin e armëmbajtjes dhe pranimit të fajit për akuzat e lidhur me taksat, si edhe më pak se dy muaj përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Falja nga i ati i jep fund një sage ligjore për Hunter Biden , i cili bëri të ditur publikisht se ishte nën hetim federal në dhjetor 2020 - një muaj pas fitores së babait të tij- dhe hedh një hije mbi trashëgiminë e Presidentit demokrat. Hunter Biden tha se ai kishte pranuar fajësinë për të shmangur dhimbje dhe probleme të mëtejshme për familjen e tij, pasi gjyqi për armëmbajtjen nxori në pah detaje të pakëndshme rreth luftës së tij me varësinë ndaj kokainës.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, e cilësoi vendimin për falje si abuzim me drejtësinë, dhe ngriti pyetjen nëse amnistia përfshin edhe të burgosurit pas trazirave në Capitol në janar të vitit 2021. Disa republikanë e quajtën Bidenin gënjeshtar. (A2 Televizion)