Demonstratat e fermerëve të zemëruar që nisën fillimisht në Francë tashmë janë shtrirë në të gjithë Europën. I fundit që është paralizuar nga grevat është Brukseli, aty ku karvanë me qindra fermerë të zemëruar i parkuan traktorët dhe mjetet e rënda bujqësore para selisë së Bashkimit Evropian.
Pasi ngrohën gjymtyrët e tyre në grumbujt e paletave të cilave iu vu flaka, fermerët hipën në traktorët e tyre dhe hynë në kryeqytetin belg me zhurmën e motorëve, fishekzjarrëve dhe borive që iu prishën gjumin banorëve të Brukselit.
Ata janë të vendosur për të detyruar liderët e bllokut që të dëgjojnë ankesat e tyre për kostot e shtuara të prodhimit, rregullat dhe burokracinë në shpërndarjen e subvencionimeve. Ndërkohë, forca të shumta policore janë vendosur para selisë së Parlamentit Evropian.
Edhe pse ky samit i BE-së supozohej të përqendrohej në dhënien e ndihmës financiare për Ukrainën, fermerët kërkojnë me ngulm që kërkesat e tyre të bëhen pjesë e agjendës joformale të 27 liderëve.
Jean-Francois Ricker, një fermer nga Belgjika jugore që e kaloi natën pranë selisë së BE-së tha se priste 1000 deri në 1400 traktorë që të stacionoheshin aty.
“Do të ketë shumë njerëz... Ne do të tregojmë se nuk jemi dakord dhe se mjafton, por qëllimi ynë nuk është të prishim gjithçka.”
Shumica e protestuesve janë të rinj dhe fermerë familjarë që ndihen gjithnjë e më shumë të shtrydhur nga çmimet e rritura të energjisë, konkurrenca e huaj më e lirë që aplikohet duke shkelur rregullat strikte të BE-së, inflacionin dhe ndryshimet klimatike që vyshkën, përmbytën ose dogjën të korrat.
Protesta të ngjashme janë mbajtur në të gjithë BE-në për pjesën më të madhe të javës. Fermerët bllokuan më shumë arterie trafiku në Gjermani, Belgjikë, Francë, Itali dhe Spanjë të mërkurën.
Protestat patën një ndikim të menjëhershëm, pasi Komisioni Evropian njoftoi planet për të mbrojtur fermerët nga eksportet e lira nga Ukraina gjatë kohës së luftës dhe për t'i lejuar fermerët të përdorin disa toka që ishin detyruar të mbeten djerrë për arsye mjedisore.
Protesting Belgian farmers have entered central Brussels in their tractors and are now heading toward the European Parliament.
— Visegrád 24 (@visegrad24) February 1, 2024
Reports of first barricades and fires on the square (Lux) in front of the Parliament building.
Via @herqles_es pic.twitter.com/dDP4qPc9WR
Planet ende duhet të miratohen nga 27 vendet anëtare të bllokut dhe Parlamenti Evropian, por ato përbëjnë një lëshim të papritur dhe simbolik.
“Unë thjesht do të doja t'i siguroja ata se ne bëjmë çmos për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Unë mendoj se ne po trajtojmë dy (shqetësime) shumë të rëndësishme prej tyre tani”, tha nënkryetari i Komisionit Evropian Maroš Šefčovich. (A2 Televizion)