Shpërthim misterioz i sëmundjeve të frymëmarrjes në Kinë, OBSH vendoset në alarm

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2023, 11:25 | Bota


Ditët e fundit, mediat lokale në qytete si Xian në veriperëndim të Kinës kanë postuar video në internet të spitaleve të tejmbushura me prindër dhe fëmijë që presin të kontrollohen nga mjekët.

Kina veriore që nga tetori ka raportuar një rritje të sëmundjeve të ngjashme me gripin, krahasuar me të njëjtën periudhë në tri vitet e mëparshme dhe kjo ka ngritur alarmin për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Së fundmi, OBSH-ja i ka kërkuar Kinës informacion më të detajuar në lidhje me shpërthimin e sëmundjes së frymëmarrjes dhe për grupimet e raportuara të fëmijëve me pneumoni të padiagnostikuar.

OBSH-ja po ashtu ka kërkuar rezultate laboratorike nga shpërthimet e raportuara te fëmijët, ndërsa u ka rekomanduar komuniteteve kineze të marrin masa parandaluese duke përfshirë vaksinimin, mbajtjen e maskave, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë, qëndrimin në shtëpi kur janë të sëmurë dhe larjen e rregullt të duarve.

Sakaq, autoritetet kineze ia kanë atribuar sëmundjen një ftohjeje dhe heqjes së kufizimeve të COVID-19, qarkullimit të patogjenëve të njohur ku përfshihet virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) dhe gripi, si dhe infeksioneve të zakonshme bakteriale që prekin fëmijët, ku përfshihet pneumonia e mikoplazmës.

Por shqetësimi mbetet i lartë, pasi sapo temperaturat ranë në Pekin, kryeqyteti hyri në një sezon të lartë të incidencës së sëmundjeve infektive të frymëmarrjes.

Qyteti po tregon aktualisht një tendencë të bashkëjetesës së shumë patogjenëve", tha Wang Quanyi, zëvendësdrejtor dhe eksperti kryesor epidemiologjik në Qendrën e Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ndërkohë, një rritje në incidencën e sëmundjeve të frymëmarrjes u zbulua për herë të parë gjatë një konference shtypi javën e kaluar nga zyrtarë kinezë të Komisionit Kombëtar të Shëndetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos