Marrëveshja për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit nuk do të vihet në zbatim para së premtes, edhe pse besohej se do të niste në orët e para të ditës së sotme.
Sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, asnjë peng nuk do të lirohet para të premtes dhe luftimet do të vazhdojnë deri në momentin që të nisë aplikimi i marrëveshjes.
“Fillimisht, pritej të liroheshin pengjet e parë që të enjten. Fillimi i një armëpushimi të përkohshëm të rënë dakord në luftime gjithashtu shtyhet deri të premten”, tha një zyrtar izraelit për CNN.
Ka paqartësi të mëdha mbi arsyet e vonesës nga Gaza, me një zyrtar izraelit të njohur me këtë çështje që e minimizon seriozitetin e saj. Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë një sfidë ligjore për marrëveshjen e pengjeve, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu tha se ajo nuk përfshin "lirimin e vrasësve".
Sakaq, sipas ministrisë së Jashtme të Katarit do të njoftohet në orët e ardhshme se kur do të fillojë armëpushimi Izrael-Hamas.
“Bisedimet se si të zbatohet marrëveshja e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdojnë dhe po përparojnë pozitivisht. Puna midis dy palëve dhe partnerëve tanë në Egjipt dhe SHBA është duke vazhduar për të siguruar zbatimin e shpejtë të armëpushimit dhe për të siguruar atë që është e nevojshme për të siguruar që të dyja palët t'i përmbahen marrëveshjes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari në një deklaratë të postuar në X.
Edhe Shtëpia e Bardhë është shprehur se shpreson që lirimi i pengjeve të nisë të premten, ndërsa palët po punojnë për detajet e fundit logjistike.
“Marrëveshja u ra dakord dhe mbetet e dakorduar. Palët po përpunojnë detajet përfundimtare logjistike veçanërisht për ditën e parë të zbatimit. Është pikëpamja jonë që asgjë nuk duhet t'i lihet rastësisë pasi pengjet fillojnë të kthehen në shtëpi. Objektivi ynë kryesor është të sigurojmë që ata të sillen në shtëpi të sigurt. Kjo është në rrugën e duhur dhe ne shpresojmë që zbatimi do të fillojë të premten në mëngjes”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson.
Një zyrtar i lartë amerikan po ashtu shtjelloi se duhej më shumë kohë për të sqaruar detajet në lidhje me vendndodhjet dhe rrugët që do të ndiqen për lirimin e secilit prej pengjeve, si dhe logjistikën e lëvizjes së tyre.
“U mor një vendim për të pritur një ditë shtesë për të minimizuar gjërat që shkojnë keq”, tha zyrtari amerikan për CNN, duke shtuar se Izraeli e mori vendimin së bashku me Katarin dhe Egjiptin dhe se SHBA-ja u konsultua dhe ranë dakord me vendimin.
Zyrtari tha gjithashtu se fakti që Izraeli nuk kishte marrë ende emrat e grupit të parë të pengjeve që do të lirohen nuk është një çështje serioze, por shtoi se do të ishte më shqetësuese nëse nuk do të kishte ende listë deri të enjten në mbrëmje. (A2 Televizion)