Kaos, gaz lotsjellës dhe protestues të rrahur me shkopinj gome. Janë pamjet e rralla që vijnë nga rajoni i Bashkortostan në Rusi, pasi një aktivist i djathtë u dënua me 4 vite burg.
Mediat sociale treguan mbështetësit e Fail Alsynov teksa përlesheshin me policinë, disa prej të cilëve duke gjuajtur me topa bora, pranë një gjykate në qytezën e Baymak. Alsynov u dënua për nxitje të urrejtjes etnike, një akuzë të cilën e mohon.
“Ju falenderoj të gjithëve që erdhët të më mbështesni. Nuk do ta harroj kurrë. Kam luftuar gjithmonë për drejtësi. Për njerëzit e mi, për republikën time. Kështu do Zoti, do t’i shohim njëri tjetrin sërish”, u shpreh Fail Alsynov.
Protestat masive në Rusi janë ekstremisht të rralla për shkak të rrezikut të arrestimit. Sipas disa raportimeve, mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat që zhvillohen prej ditësh, në temperatura 20 gradë nën zero dhe disa persona kanë mbetur të plagosur.
Protestuesit thërrisnin mesazhe në mbështetje të aktivistit, e disa prej tyre u përpoqën të bllokonin hyrjen e gjykatës pasi vendimi u njoftua. Aktivistë akuzohet se kishte fyer emigrantët gjatë një proteste kundër planeve të gërmimit për ar, por mbështetësit thonë se bëhej fjalë për një hakmarrje të vonuar për aktivizimin e tij për të ndaluar proceset e përftimit të sodës, në atë që vendasit e konsiderojnë si vend të shenjtë. (A2 Televizion)