Rusët do të votojnë edhe në Amerikë për Putin president

Nga A2 CNN
17 Janar 2024, 13:24 | Bota

Rusët do të votojnë edhe në Amerikë për Putin

Edhe pse marrëdhëniet mes Rusisë dhe Amerikës janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, Moska ka njoftuar se do të hapë në mars qendrat e votimit për zgjedhjet e saj presidenciale edhe në SHBA.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura në selitë e misioneve të saj diplomatike dhe në konsullatat ruse në vend.

Në SHBA, ne planifikojmë të hapim tri qendra votimi, në ambasadën tonë në Uashington, si dhe në konsullatat tona në Nju-Jork dhe Hjuston”, tha sot ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov.

Pavarësisht kësaj, Rusia, e cila është “bombarduar” me sanksione perëndimore që pas nisjes së luftës në Ukrainë, ende nuk ka vendosur nëse do të hapë qendrat e votimit në shtetet evropiane që i konsideron "armiqësore".

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha javën e shkuar se vendimi do të merret para fundit të janarit, duke pasur parasysh kërkesat për të garantuar sigurinë e tyre.

Sakaq, zgjedhjet presidenciale në Rusi janë planifikuar të mbahen më 17 mars, me Presidentin Vladimir Putin që do të kandidojë si i pavarur për një mandat të pestë.

Në rast fitoreje ai mund të qëndrojë në Kremlin të paktën deri në vitin 2030, kur do të jetë 78 vjeç. Rizgjedhja e tij konsiderohet thuajse e sigurt nga të gjithë ekspertët, pasi e gjithë opozita e vërtetë ruse është eliminuar përmes burgosjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos