Ukrainës i duhen gjysmë milioni ushtarë, Zelensky nxjerr ligjin për rekrutime masive

Nga A2 CNN
17 Janar 2024, 11:03 | Bota

Ukrainës i duhen gjysmë milioni ushtarë, Zelensky nxjerr ligjin

Pak më shumë se një muaj pas përvjetorit të dytë të luftës, Ukraina reziston dhe dëshiron të vazhdojë t'i rezistojë pushtuesit rus, pa kompromentuar integritetin territorial dhe sovranitetin.

Pavarësisht pakënaqësisë sociale me ligjin ushtarak, Kievi zyrtar ka në plan nisjen e një mobilizimi të përgjithshëm ushtarak. Pikërisht për këtë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpallur një projektligj që do t'u kërkojë bashkëqytetarëve të tij të bëjnë një sakrificë të mëtejshme.

Projektligji do të përfundojë shpejt në parlamentin e Ukrainës dhe ai tingëllon si një "rekrutim masiv", i plotësuar edhe me rekrutim ndërkombëtar, pra të ukrainasve që jetojnë jashtë vendit dhe ulje të moshës ushtarake.

Një burim "disident" ukrainas ka zbuluar përmbajtjen kryesore të dekretit të ri për mobilizimin. Sipas analistëve, rreth gjysmë milioni ushtarë të rinj nevojiten për të kompensuar të vdekurit dhe të plagosurit në front.

Ushtria ukrainase gjithashtu është prekur nga dezertimet, pasi shumë prej tyre kanë ikur përtej kufirit, ndërsa sistemi i korruptuar lehtëson mërgimin apo mundësinë e shmangies së frontit me çmime të kripura.

Tensioni social po rritet në frontin e nxehtë të luftës, me rekrutuesit që “kapin” të rinjtë edhe në rrugë, ashtu si në Rusi, duke i dërguar me forcë në betejë edhe pse nuk duan të luftojnë

Raportet dhe pamjet nga rojet kufitare ukrainase kanë treguar një rritje të numrit të përpjekjeve për t'i shpëtuar mobilizimit, duke anashkaluar pikat e kontrollit ose duke i kaluar ato me dokumente false.

Shërbimi i Rojës Kufitare të Ukrainës, duke përmendur projektligjin për mobilizimin ende për t'u miratuar, është mandatuar të kontrollojë me përpikëri dokumentet e të gjithëve.

Ndërsa nga njëra anë, Vladimir Putin, në fjalimin e tij të parë publik të madh të vitit 2024, përsërit linjën e ashpër të Rusisë për objektivat ushtarakë dhe strategjikë, nga ana tjetër, Volodymyr Zelensky kërkon me zë të lartë që Perëndimi të mos dështojë në angazhimin e tij për mbështetjen ushtarake ndaj Kievit.

Ukrainës i duhet armatim superior ajror, municione dhe burra në luftë. Ai nuk do të pranojë që Perëndimi të përsërisë “gabimin” e vitit 2014, kur, sipas tij, Gjermania dhe Franca lejuan ngrirjen e konfliktit në Donbas.

Por, ministri Kuleba paralajmëron në mënyrë jo të sigurt se Ukraina "nuk ka një plan B", nëse ndihma perëndimore do të dështojë të mbërrijë në Kiev, apo edhe nëse do të vonohet për një kohë të gjatë.

Pranvera e vitit 2024 do të jetë në fakt vendimtare për fatin përfundimtar të konfliktit, me Krimenë në qendër të ekuilibrit ushtarak dhe social. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos