Grabitësit kthejnë duart nga "ari i lëngshëm"! Vjedhje masive të ullirit në Mesdhe, çmimi i vajit trefishohet

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 12:20 | Bota

Grabitësit kthejnë duart nga "ari i lëngshëm"!

Miti se hajdutët synojnë të vjedhin vetëm bizhuteri të shtrenjta, flori dhe para kesh duket se është rrëzuar këtë vit në rajonin e Mesdheut, aty ku “skifterët” i kanë kthyer duart nga “ari i lëngshëm”.

Trefishimi i çmimit të vajit të ullirit në tregun global, ka bërë që grabitësit të vjedhin degë, të thyejnë magazina dhe fabrika, të mashtrojnë në raportet e kontabilitetit e madje të presin pemë për të shtënë në dorë vajin e shtrenjtë në qendrat e rritjes së ullirit në Greqi, Spanjë dhe Itali.

Krimet në rritje janë duke shtuar shqetësimin midis kultivuesve që tashmë po luftojnë me kostot e larta të prodhimit dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike si dimri i ngrohtë, përmbytjet e mëdha dhe zjarret më intensive në pyje.

Ullishtet jashtë Athinës janë pjesë e një tradite të pandërprerë që shtrihet në antikitet, në fusha që tani rrethojnë aeroportin ndërkombëtar të qytetit dhe disa pemë janë shekullore, por bandat po përdorin sharrë elektrike me zinxhir për t’i prerë degët dhe pemë të tëra në fusha të pambrojtura.

Kultivuesi grek Neilos Papachristou thotë se ky trend i grabitjeve po i shtyn kultivuesit të korrin herët dhe të kënaqen me rendimente më të ulëta për të shmangur dëmtimet afatgjata.

Grabitësit kërkojnë degë të ngarkuara rëndë dhe i presin. Pra, jo vetëm që na vjedhin ullinjtë, por i bëjnë pemës një dëm serioz. Duhen 4-5 vjet që ajo të kthehet në normalitet”, tha Papachristou teksa ruante parcelën e tij në agim.

Në shkurt, gjashtë persona u arrestuan në Greqinë jugore për vjedhjen e 8 tonëve vaj ulliri pas një serie thyerjesh të fabrikave, ndërsa policia spanjolle muajin e kaluar tha se kishte gjetur 91 tonë ullinj të vjedhur në javët e fundit.

Sakaq në Itali, fermerët e Barit denoncuan në media se grabitësit në zonë janë bërë gjithnjë e më të pacipë, duke rrëmbyer traktorë dhe pajisje të shtrenjta së bashku me ullinjtë.

Pas dekadash rritjeje, tregu global i vajit të ullirit është goditur nga një thatësirë gati dyvjeçare në Spanjën jugore, rajoni që zakonisht mbulon 40% të tregut botëror.

Sipas vlerësimeve të Bashkimit Evropian, rënia e prodhimit në Spanjë do të ulë prodhimin global në 2.5 milionë tonë metrikë në sezonin e vjeljes 2022-2023, nga 3.4 milionë në ciklin e mëparshëm vjetor.

Rritja e temperaturave po ndikon po ashtu në lulëzimin e ullirit, ndërkohë që çmimet e larta të plehrave dhe mungesa e fuqisë punëtore po ndikojnë për fryrjen e kostove për fermerët dhe fabrikat përpunuese.

Me kërkesën globale që mbetet e lartë, importuesit ndërkombëtarë shpesh janë të gatshëm të ofrojnë çmime mbi normat e brendshme. Eksportet nga viti në vit nga Greqia u dyfishuan në pesë muajt e parë të 2023, ndërsa Turqia në gusht pezulloi eksportet për të mbrojtur tregun e saj të brendshëm.

Çmimet standarde në Spanjë, Greqi dhe Itali monitorohen nga Këshilli Ndërkombëtar i Ullirit, një organizatë ndërqeveritare me qendër në Madrid. Në fund të vitit 2019, çmimet e shitjes me shumicë ranë nën 3 euro për kilogram, por në shtatorin e kaluar u rritën deri në 9 euro për kilogram.​

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi