Betejë e ashpër në rrugët e Gazës. OKB-ja flet për krime lufte, Izraeli: Hamasi ka humbur kontrollin

Nga Rosalba Bejdo
9 Nëntor 2023, 10:20 | Bota

Betejë e ashpër në rrugët e Gazës. OKB-ja flet për

Beteja në rrugë ka shpërthyer në qytetin e Gazës, teksa luftëtarët e Hamasit përdorin tunelet për t’i zënë pritë forcave izraelite. Militantët publikuan një video ku duket se shfaqen përleshje intensive nëpër rrugë, bashkë me godinat e bombarduara në qytet.

Ushtria e Tel Avivit, e cila ka depërtuar tashmë në zemër të Gazës, pretendon se Hamasi e ka humbur kontrollin në veriun e enklavës, por, sipas burimeve, tanket e saj po përballen me rezistencë të ashpër nga militantët që shfrytëzojnë tunelet nëntokësore për të sulmuar në befasi.

Izraeli pretendon se ka marrë kontrollin e një qendre të Hamasit në Xhabalia, disa orë pas raportimit për bombardimin e një godine banimi në zonë. Sipas ushtrisë, 50 mijë palestinezë u shpërngulën nga qyteti i Gazës drejt jugut, pas thirrjeve për evakuime.

Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha: “Sot, pamë 50 mijë qytetarë të Gazës të zhvendosen nga veriu drejt jugut. Ata po ikin sepse e kuptojnë që Hamasi ka humbur kontrollin në veri dhe se jugu është më i sigurt”. 

Në një video të publikuar nga ushtria izraelite, duket momenti kur trupat hedhin në erë një tunel të Hamasit. Siç thuhet, 130 të tilla janë shkatërruar që prej fillimit të luftës. Teksa viktimat në Rripin e Gazës i kanë tejkaluar 10 500,  komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut akuzoi si Izraelin, ashtu edhe Hamasin për krime lufte: “Mizoritë e kryera nga grupet e armatosura palestineze më 7 tetor ishin të tmerrshme, ato ishin krime lufte, ashtu si edhe mbajtja e pengjeve. Por, edhe ndëshkimi i civilëve palestinezë nga Izraeli dhe evakuimi i detyruar i tyre, është gjithashtu krim lufte”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dënoi Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore, por tha gjithashtu se numri i madh i qytetarëve të vrarë në Gaza tregonte se diçka ishte qartazi e gabuar me operacionet ushtarake të Izraelit. 

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi