Shpërthim me bombë në makinë, Ukraina vret politikanin e mbështetur nga Rusia në Luhansk

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 09:21 | Bota

Një zyrtar i mbështetur nga Rusia është vrarë pas shpërthimit me bombë të makinës së tij, në qytetin e pushtuar lindor të Luhanskut.

Për ngjarjen e ndodhur të mërkurën ka marrë përgjegjësinë e plotë Ukraina.

Mikhail Filiponenko, një ligjvënës në asamblenë e instaluar nga Kremlini, ka qenë edhe ish-kreu i ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut (LPR). Ai kishte qenë aktiv në lëvizjen separatiste pro-ruse të rajonit që nga viti 2014.

Autoritetet ukrainase dhe ruse raportuan lajmin e vrasjes së Filiponenko.

Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës mori menjëherë përgjegjësinë dhe paralajmëroi të tjerët që i shërbenin "Rusisë terroriste" se do të merrnin një formë të ngjashme "shpagimi" për tradhtinë ndaj Kievit.

Një operacion special për eliminimin e xhelatit Filiponenko u zbatua së bashku me përfaqësuesit e lëvizjes së rezistencës. Filiponenko ishte përfshirë në organizimin e dhomave të torturës në territoret e pushtuara të rajonit Luhansk, ku të burgosurit e luftës dhe pengjet civile iu nënshtruan torturave çnjerëzore. Filiponenko torturonte brutalisht njerëzit personalisht”, thuhet në reagimin e Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës në Telegram.

Ndërkohë, komiteti Hetues i Rusisë tha se kishte nisur një hetim penal për shpërthimin.

Sot në mëngjes një mjet i paidentifikuar shpërtheu nën pjesën e poshtme të makinës, duke vrarë Mikhail Filiponenko. Është hapur një çështje penale”, thuhet në Telegram. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos