Beteja në “zemër” të Hamasit në sytë e kolonel Dritan Demirajt

Nga Armand Kullolli
8 Nëntor 2023, 22:48 | Bota

Kolonel Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm, i bëri një analizë në Ditarin e orës 19:00 në A2 CNN luftës Izrael-Hamas, forcave të jashtme me ndikim dhe një parashikim se si pritet të vijojë ky konflikt i përgjakshëm që i ka marrë jetën me mijëra personave të pafajshëm një muaj pas nisjes.

“Sulmi i Izraelit, shkelje e madhe e të gjitha konventave”

“E kemi dënuar me forcën më të madhe vrasjen dhe marrjen peng të civilëve që në 7 tetor. Nga ana tjetër, intensiteti i sulmeve nga ana e Izraelit, përdorimi i tankeve, i artilerisë së rëndë në zonat e banuara, ka qenë shumë i madh dhe për rrjedhojë ka sjellë kaq shumë viktima mes civilëve. Nuk është parë në asnjë konflikt një intensitet i tillë dhe vrasje kaq e madhe mes civilëve, përfshirë mbi 4300 fëmijëve. Një shkelje e madhe e konventave e të gjitha konventave për përdorimin e forcave të armatosura dhe armatimeve të rënda në qendrat e banuara. Është e pajustifikueshme”.

“Izraeli nuk zbaton asnjë rezolutë të OKB-së që nga viti 1967. Netanyahu nuk është zgjidhja, por vet problemi”

“Në televizionet shqiptare askush nuk guxon të flasë për atë çka është e vërteta. Që nga vitet 1967 dhe 1973, që nga dy konfliktet e fundit. Izraeli nuk zbaton asnjë nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht përpjekjeve intensive të administratës amerikane për të qetur një zgjidhje, gjithmonë qeveria e Izraelit e ka kundërshtuar këtë. Për 6 herë radhazi ka qenë qeveria e Netanyahu-t. Ai nuk është zgjidhja e problemit, por është vet problemi. Qeveria e tij e fundit është krejtësisht e ndryshme nga qeveritë e tjera, pasi përbëhet nga njerëz të ekstremit të djathtë, të cilët provokojnë në mënyrë të vazhdueshme palestinezët. Sulmi i datës 7 tetor është i papranueshëm, por nuk duhet të shikojmë vetëm një anë, por të dyja. Nuk është vetëm OKB dhe OBSH, por janë 18 organizata që kanë bërë thirrje për ndalimin e kësaj masakre ndaj civilëve. Çfarë mund të bëjë një popullsi, të cilën ti e mban të rrethuar për 17 vite? I ke prerë ujin, energjinë, karburantin, godet spitalet, universitetet, shkollat. Nuk ka asnjë justifikim për sulmin e Hamasit, por nga ana tjetër duhet t’i shihnim të gjitha këto probleme me të njëjtin nivel”.

“Nuk lirohen pengjet e nuk zhduket Hamasi duke sulmuar me bomba 1 mijë kilogramë”

“Takimi i së premtes së kaluar në ambasadën amerikane tregon shumë. Komunikimi i sekretarit Blinken me Netanyahun ka qenë me tone të forta. Një pjesë e madhe, rreth 12 kongresmenë, kanë rritur presionin ndaj administratës. Presioni i shtuar dhe ulja e mbështetjes dramatike për rizgjedhjen e Biden ka bërë që në 48 orët e fundit të ndryshojë. Netanyahu dje pranoi disa pauza taktike. Emiri i Katarit po ushtron presion për armëpushim 3 ditor. Nuk mund të lirohen pengjet, nuk mund të zhduket Hamasi, duke bombarduar me këtë sasi kaq të madhe bombash një mijë kilogramë, pasi dihet që përdorimi i këtyre bombave shkakton dëme kolaterale të jashtëzakonshme”.

“Ndërhyrja tokësore vendos fatet e luftës”, Koloneli: Hezbollah shumë i fuqishëm, Izraeli i trembet

“SHBA-të, vetëm që të mos futet Hesbollahu në lojë, kanë afruar dy aeroplanmbajtëse dhe në dy ditët e fundit kanë dislokuar në Gjirin Persik edhe nëndetëse bërthamore. Kemi një intensifikim të boshtit të rezistencës. Gjatë dy javëve të fundit janë përfshirë një pjesë e grupeve, Huthi dhe 7 grupe militante shia që janë me bazë në Irak dhe në Siri, që kanë goditur 20 herë në bazat amerikane në Siri dhe 18 herë në Irak, duke shkaktuar plagosjen e 46 ushtarëve amerikanë. Sot, një nga këshilltarët më të afërt të sigurisë kombëtare të presidentit Biden ndodhet në Bejrut, në takim me kryeministrin aktual të qeverisë së përkohshme, duke i kërkuar me forcë që të mos futet Hezbollahu sepse Hezbollahu ka kapacitetet shumë të fuqishme, të cilave Izraeli i trembet. Pavarësisht kapaciteteve ajrore, çdo gjë vendoset në tokë. Një ndërhyrje tokësore vendos fatet e luftës”.

Cilat do të jenë pasojat e kësaj lufte?

“Së pari, roli i Amerikës në Lindjen e Mesme është dobësuar sepse duket si një mbështetje e padrejtë, e pabalancuar për Izraelin. Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie ekselente me Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahrejnin, Kuvajtin e Arabinë Saudite. Por duket qartë kjo mbështetje ndaj Izraelit dhe pamundësia e presidentit Biden për të siguruar një armëpushim, e ka prishur këtë alenacë në një formë apo në një tjetër”.

Roli i Erdogan në konfliktin Hamas-Izrael...

“Që nga nisja e konfliktit, Erdogan është përpjekur të luante rolin e negociatorit. Nga ana tjetër, duket se injorimi që i ka bërë Netanyahu përgjatë dy javëve të para solli tërbimin e Erdoganit. Duhet të mos harrojmë që Erdogani është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Hamasit, kryesisht krahut politik. Në këtë situatë, duke se është afruar shumë me Iranin për t’i treguar Izraelit që ne bëjmë aleancë edhe me një vend jomiqësor. Duket se ka një unifikim të botës. Duhet sa më shpejt të jetë e mundur që Amerika të mos humbin më shumë terren dhe të krijojnë kushtet për armëpushim. Unë besoj që maksimumi, një javë apo 10 ditë kohë ka Netanyahu për ta përfunduar këtë operacion ushtarak”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu