Valët e dhunës në Lindjen e Mesme të lashtë, ja çfarë thotë studimi

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 09:28 | Bota

Valët e dhunës në Lindjen e Mesme të lashtë, ja

Analiza e mijëra skeleteve zbulon se dhuna në Lindjen e Mesme të lashtë luhatej në varësi të kushteve mjedisore dhe socio-ekonomike. Në këtë përfundim ka arritur studimi i botuar në revistën “Nature Human Behavior”, me fokus në Lindjen e Mesme të lashtë.

Duke analizuar të dhënat në lidhje me më shumë se 3500 skelete, të gjetura përmes gërmimeve arkeologjike në rreth 50 vende të shpërndara në të gjitha rajonet kryesore të Lindjes së Mesme, ka arritur të gjurmojë evolucionin e këtyre fenomeneve, nga neoliti në antikitetin klasik, duke zbuluar se nivelet e vrasjeve, agresionit dhe torturës kanë pësuar luhatje të dukshme gjatë gati 12 mijë viteve, në varësi të alternimit të kushteve të caktuara mjedisore dhe socio-ekonomike.

Sipas Giacomo Benati, studiues në Universitetin e Barcelonës dhe bashkautor i studimit, kafkat, kockat dhe skeletet e njerëzve të plagosur ose të vrarë datojnë në katër periudha specifike kohore: neoliti (12000 deri në 4500 pes), epoka e bakrit (4500 deri në 3300 para Krishtit), epoka e bronzit (3300 deri në 1200 para Krishtit) dhe e hekurit (1200- 400 para Krishtit).

Duke u nisur nga kjo sasi e madhe e të dhënave, shkencëtarët ekzaminuan llojin e lëndimeve të pranishme, duke lidhur rezultatet e analizave të tyre me ngjarjet kryesore që ndodhën në epokat historike të ekzaminuara.

“Përmes studimit të traumave kockore të shkaktuara vullnetarisht dhe të vëzhgueshme në skelete, ne kemi rindërtuar tendencën e niveleve të dhunës në Lindjen e Mesme të Lashtë, duke konstatuar se konfliktet ndërpersonale luhateshin ndjeshëm me kalimin e kohës”, vijon Benati.

Këto luhatje mund të kenë arsye shumë specifike: pikërisht në zonën e Mesopotamisë, në epokën e bakrit ndodhën konflikte në shkallë të gjerë midis autoriteteve të para shtetërore në procesin e formimit, ndërsa epoka e hekurit u karakterizua nga ngritja e fuqive ushtarake si Perandoria asiriane, si dhe nga një periudhë e gjatë thatësire. Përkundrazi, dhuna e ulët e neolitit është shpjeguar me stilin e jetesës së popullatave nomade gjuetarë-mbledhës dhe dendësinë shumë të ulët të popullsisë së kohës.

“Gjatë epokës së bronzit, e karakterizuar nga një zhvillim më i madh i funksioneve shtetërore, sistemeve ligjore dhe tregtisë në shkallë të gjerë, pati një rënie të mprehtë të dhunës”, specifikon eksperti.

Studimi arriti në përfundimin se dhuna sociale u rrit në mënyrë dramatike në kohën e lindjes së shteteve ose perandorive të para, duke u stabilizuar në një fazë të mëvonshme dhe duke u rritur përsëri si rezultat i krizave të tilla si thatësira, apo uria.

Nuk është rastësi që vëmendja është përqendruar në Lindjen e Mesme. Ky rajon ishte një lloj "laboratori" në të cilin u zhvilluan qytetërimet e para njerëzore, që nga lindja e qyteteve deri në përparimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke kaluar përmes krijimit të shkrimit dhe formimit të perandorive të para të mëdha në histori. Autorët e studimit planifikojnë të përditësojnë kërkimin e tyre në mënyrë që të thellohen në disa aspekte sociale të dhunës, siç është ndikimi i ndryshëm i saj mbi gjinitë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni