Frika për përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas, u përforcua edhe më shumë te enjten, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmarrë sulme në Siri.
Siç bëri të ditur Pentagoni, sulmet ajrore shënjestruan dy depo armësh dhe municionesh të përdorura nga Garda Revolucionare e Iranit.
Megjithatë Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u kujdes të theksonte se bombardimet nuk kishin lidhje me luftën, por ishin një kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit të milicive të mbështetura nga Irani, ndaj bazave amerikane në Siri dhe Irak.
“Irani kërkon të fshehë dorën dhe të mohojë rolin e tij në këto sulme kundër forcave tona. Ne nuk do t’i lejojmë dhe nëse sulmet nga aleatët e Iranit kundër forcave amerikane do të vazhdojnë, nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme për të mbrojtur qytetarët tanë.”
Lloyd Austin - Sekretari i Mbrojtjes së SHBA
Siç bëhet e ditur trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 12 herë në Irak dhe 4 herë në Siri që prej shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe një total prej 21 pjesëtarësh të stafit kanë marrë plagë të lehta.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti amerikan Joe Biden i kishte përcjellë një paralajmërim të fortë dhe të rrallë liderit suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei.
Sakaq, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork, ministri i jashtëm i Teheranit paralajmëroi se Uashingtoni nuk do të kursehej nga zjarri që ka përshirë rajonin nëse dhuna në Gaza vazhdon. SHBA kanë dërguar luftanije, dhe të enjten njoftuan se po zhvendosnin edhe 900 trupa në rajon. (A2 Televizion)