Disa zyrtarë të inteligjencës ushtarake ukrainase janë helmuar, mes të cilëve edhe gruaja e kreut të shefit të spiunazhit ushtarak të Ukrainës GUR, Marianna Budanova. Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i agjencisë për Reuters, sipas të cilit ajo po trajtohet në spital për helmim me metale të rënda.
“Po, mund ta konfirmoj informacionin, për fat të keq, është i vërtetë”, tha zëdhënësi i GUR, Andriy Yusov, pa sqaruar se kur ndodhi incidenti.
“Ajo shkoi te mjeku në kohë, nëse një javë më vonë, pasojat do të ishin më të rënda”, tha një tjetër burim pa dhënë detaje të tjera.
Një hetim është duke u zhvilluar për tentativën e vrasjes së gruas së Shefit të Inteligjencës së Mbrojtjes. Marianna Budanova është gruaja e Kyrylo Budanov, i cili drejton agjencinë e inteligjencës ushtarake ukrainase GUR, e cila ka qenë e përfshirë dukshëm në operacionet klandestine kundër forcave ruse gjatë luftës 21-mujore.
Budanov tha në gusht se gruaja e tij kishte jetuar me të "në zyrën e tij" dhe nuk ishte larguar nga ai që nga fillimi i pushtimit për qëllime sigurie.
Rusia është akuzuar në shumë raste për kryerjen e atentateve dhe tentativave për vrasje me helme që përfshijnë metale të rënda, të cilat zakonisht nuk janë të pranishme në sasi vdekjeprurëse në jetën e përditshme.
Budanov, një ish-komando që ka kryer një sërë misionesh të guximshme kundër forcave ruse, u ngrit në radhët e inteligjencës ushtarake të Ukrainës për t'u bërë gjeneral në moshën 35-vjeçare.
Ai vetë ka qenë objektiv i jo më pak se 10 atentateve ruse, një prej të cilave, një shpërthim makine, e la të plagosur rëndë.
(A2 Televizion)