Një 12-vjeçar në SHBA është qëlluar me armë zjarri, pasi hodhi një top dëbore drejt një makine.
Sipas mediave të huaja, bëhet me dije se fëmija dhe një 11-vjeçar po hidhnin topa bore në qytetin Hartford të Konektikatit të mërkurën mbrëma, kur njëri prej tyre goditi një makinë.
Automjeti nisi t’i ndjekë ata dhe drejtuesi i tij "gjuajti me armë zjarri ndaj fëmijëve", duke goditur njërin prej tyre, u tha gazetarëve të enjten togeri i policisë së Hartfordit Aaron Boisvert, shkruan A2 CNN.
Ai nuk tha se si ishte gjendja shëndetësore e fëmijës, por zbuloi se plagët e tij nuk besohet të jenë kërcënuese për jetën.
Bëhet me dije se 11-vjeçari që ishte me të miturin që u prek nga plumbat, nuk është goditur, shkruan A2 CNN.
"Mund të kishte qenë shumë më keq," tha toger Boisvert.
Policia është në kërkim të autorit dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ata nuk e dinë se sa persona ishin në makinë.
Togeri Boisvert tha se policia po shikon gjithashtu videot e kamerave nga zona. Fëmija u dërgua në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve në Connecticut, tha NBC Connecticut. (A2 Televizion)