Izraeli gati planin kundër Iranit! SHBA: Mund të godasë objektivat ushtarake

Nga A2 CNN
16 Prill 2024, 16:49 | Bota

Izraeli pritet të godasë Iranin si një shenjë hakmarrje ndaj sulmeve të këtij të fundit më dronë dhe raketa. Katër burime amerikane citojnë për NBC News, se përgjigja e Izraelit mund të ndodhë jashtë territorit Iranian.

Kjo për faktin se sulmet e Iranit ndaj Izraelit nuk ishin agresive dhe nuk shkaktuan vdekje të civilëve.

“Opsionet e shtetit të Izraelit mund të përfshijnë sulmin brenda Sirisë. Sulmi nuk pritet që të synojë zyrtarët e lartë iranianë, por në vend të kësaj të godasë dërgesat ose objektet e magazinimit me pjesë raketa të avancuara, armë ose materiale të tjera të cilat dërgohen nga Irani te Hezbollahu”.

NBC News Izraeli nga ana e tij ka siguruar vendet e rajonit përreth se përgjigja ndaj Iranit nuk do të rrezikojë shtetet arabe.

Garancinë Izraeli e ka dhënë për Egjiptin, Jordaninë dhe shtetet e Gjirit Persik. Informimi për këto vende bëhet më qëllim që të mos ketë reagim në shkallë të gjerë ndaj Izraelit pas sulmeve që pritet të kryesojë kundër Iranit.

Sakaq, Presidenti iranian Ebrahim Rais ka bërë të ditur se vendi i tij do të përgjigjet gjerësisht dhe me dhimbje ndaj sulmit më të vogël ndaj interesave iraniane.

Në një bisedë telefonike me emirin e Katarit, Raisi shtoi se "mbështetja që një pjesë e Perëndimit i jep Izraelit përbën një arsye për tension rajonal".

"Ne deklarojmë kategorikisht se veprimi më i vogël kundër interesave iraniane do të përballet me një përgjigje të ashpër, të përhapur dhe të dhimbshme kundër çdo autori".

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri i tha televizionit shtetëror se kundërofensiva e Teheranit pas çdo hakmarrjeje izraelite do të ishte "çështje sekondash pasi Irani nuk do të presë edhe 12 ditë të tjera për t'u përgjigjur".

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi