Forcat izraelite ashpërsojnë ofensivën tokësore dhe bombardimet ajrore në jug të rripit të gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra palestineze, edhe pse SHBA dhe OKB po bëjnë vazhdimisht thirrje për të mbrojtur civilët. Banorët dhe gazetarë dëshmuan sulme intensive ajrore në jugun me popullsi të dendur, përfshirë në zonat ku Izraeli u ka kërkuar qytetarëve të strehohen.
Ushtria e Tel Avivit bëri të ditur se kishte ndërmarrë operacion agresiv kundër Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Khan Junis. Ajo urdhëroi evakuimin e një të pestës së qytetit mes bombardime të pandalshme gjatë natës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se një skenar edhe më i kobshëm mund shpalosej shpejt në Rripin e Gazës, dhe se organizatat humanitare nuk do të ishin në gjendje të reagonin. Ndërsa shtetet e bashkuara ripërtërinë thirrjen ndaj Izraelit, që të mos i godasë zonat ku po strehohen civilët.
“E kemi bërë të qartë gjatë takimeve me kryeministrin Netanjahu se nuk duam të shohim një fushatë ushtarake si ajo e veriut edhe në jug. Nuk duam të shohim të njëjtin nivel viktimash, apo shpërnguljesh masive”, tha DASH.
Izraeli pushtoi gjysmën veriore të Gazës në muajin nëntor, dhe që prej fundit të armëpushimit një javor, po avancon me shpejtësi drejt gjysmës jugore. Grupet e armatosura të Hamasit dhe Xhihadit Islamik thanë se luftëtarët janë përfshirë në përleshje të ashpra me ushtarët izraelitë ne veri dhe lindje të Khan Junis, qyteti kryesor në jug të vendit. Agjencia e OKB për refugjatët palestinezë tha se rinisja e operacionit ushtarak po përsëriste tmerret e javëve të kaluara duke detyruar shpërnguljen e qytetarëve të zhvendosur më herët, duke tejmbushur spitalet dhe duke vështirësuar operacionin humanitar për shkak të furnizimeve të limituara. (A2 Televizion)