Pavarësisht paralajmërimeve nga OKB-ja, SHBA-ja dhe BE-ja se pushtimi i Rafahut do të shkaktojë një katastrofë humanitare dhe mijëra viktima civile, Izraeli nuk e mendon tërheqjen nga ky inkursion ushtarak.
Imazhet e reja satelitore të publikuara nga mediat ndërkombëtare, tregojnë se Izraeli është duke ndërtuar një qytet të madh tendash, ku do të evakuojë mbi 1 milion palestinezë që janë strehuar në Rafah, qyteti i fundit i papushtuar në Rripin e Gazës.
Fotot nga kompania e imazheve satelitore Planet Labs tregojnë një grumbullim të theksuar tendash në një model uniform pranë Khan Younis, i cili është rrafshuar kryesisht gjatë pushtimit të përgjakshëm të Rripit të Gazës nga ushtria izraelite.
Fotot, të realizuara përgjatë tri ditëve, përkatësisht 18 deri më 21 prill, tregojnë strukturat e bardha që po ngrihen me shpejtësi.
Qyteti i tendave duket se është zgjidhja për Izraelin, që ka thënë disa herë se ka në plan të evakuojë civilët e zhvendosur nga Rafah, përpara një operacioni ushtarak gjashtëjavor që ka të ngjarë të fillojë në maj.
Zyrtarët egjiptianë i thanë Wall Street Journal se javët e para do t'i kushtohen evakuimit të refugjatëve në Khan Younis dhe zona të tjera të pajisura me strehimore dhe objekte mjekësore.
Përgatitjet vijnë në një kohë kur SHBA-ja pretendon se Hamasi po përgatitet për një luftë rajonale në shkallë të plotë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller, tha se Hamasi po lëviz gurët në negociatat e pengjeve dhe armëpushimit, duke shtuar se grupi terrorist refuzoi një propozim shumë domethënës.
“Me siguri duket sikur Hamasi është më i interesuar për një luftë rajonale në shkallë të plotë. Duhen dy palë për të arritur një marrëveshje dhe tani Hamasi ka sinjalizuar se ata nuk e duan atë”, tha Miller duke i kërkuar Hamasit të qëndrojë në tavolinë, pasi topi sipas amerikanëve është tani “në fushën e tyre”. (A2 Televizion)