Izraeli shkon drejt pranimit! Hamas plan me 3 faza për pengjet: Lufta në Gaza të marrë fund

Nga Xhevahir Qardaku
7 Shkurt 2024, 14:34 | Bota

Paqja në Gaza ka filluar të duket në horizont. Hamas ka pranuar planin për një armëpushim në enklavë, që është përpiluar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimit të mediave, Hamasi kërkon që në fazën e parë të lirojë disa pengje, gra dhe fëmijë, në këmbim të ndalimit të sulmeve nga Izraeli për të lejuar rindërtimin e spitaleve dhe kampeve të refugjatëve në Gaza, por edhe largimin e ushtrisë së Tel Avivit nga zonat e banuara. Në fazën e dytë, do të lirojë të gjitha pengjet në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe tërheqjen e plotë nga enklava.

Në fazën e fundit do të shkëmbehen trupat e personave të vrarë. Sipas planit, çdo fazë do të zgjasë nga 45 ditë. Raportohet se Katari ka informuar Hamasin se Izraeli është i gatshëm të lirojë deri në 5 mijë të burgosur palestinez në këmbim të pengjeve. Version arab i Sky News, shkruan se Katari ka ofruar që palestinezët e zhvendosur do të kthehen në tokën e tyre në Gaza. Ndërkohë, kryeministri Netanjahu duket se ka dhënë dorën për një armëpushim me Hamasin në Rripin e Gazës, por këtë e ka bërë pa njoftuar më parë kabinetin e luftës.

Kështu raportojnë mediat izraelite. Më herët, pati informacione që Tel Avivi kishte refuzuar planin. Këto negociata paraqiten të jenë vendimtare. Nëse ato dështojnë, Izraeli kërcënon të sulmojë vendqëndrimet e Hamasit në Rafah, që gjendet në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë