Mbreti Charles III është shfaqur për herë të parë në publik pasi Pallati Mbretëror njoftoi se monarku 75-vjeçar është diagnostikuar me kancer.
Në fotot e publikuara, Charles ndodhet në një automjet i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Camilla, teksa largoheshin nga rezidencën e tyre mbretërore në Londër, Clarence House.
Siç raporton BBC, çifti mbretëror britanik më pas u nis me helikopter për në Sandringham, që ndodhet në qarkun lindor anglez Norfolk.
Ndërkohë, në Londër është kthyer edhe Princi Harry, i cili aktualisht jeton në California, SHBA. Harry, i cili kthehet në shtëpi për të para babain, që prej martesës me Dukeshën e Sussex-it, Meghan është përfshirë në mosmarrëveshje publike me familjen e tij. Ai dhe bashkëshortja janë të tërhequr nga detyrat mbretërore.
Lajmin e diagnostikimit të mbretit Charles me kancer e bëri të ditur Pallati Mbretëror të hënën, pa specifikuar se për çfarë kanceri bëhej fjalë. Thuhet se për fat të mirë, sëmundja është zbuluar në fazë të hershme.
(A2 Televizion)