Komisioni Evropian i zgjat njërën dorë fermerëve, pasi këta të fundit “pushtuan” kryeqytete të rëndësishme europiane. Ata protestojnë kundër planeve ekologjike të BE-së që sjellin më shumë shpenzime dhe taksa.
Dukshëm e frikësuar pas zjarrit të vënë në Bruksel dhe bllokimit të hyrjes së parlamentit në Strasburg, presidentja e Komisonit Evropian Ursula Von Der Leyen, gjatë seancës njoftoi zhbllokimin e stimujve publike financiare për fermerët europianë.
“Fermerët tanë meritojnë të dëgjohen. E di që janë të shqetësuar për të ardhmen e bujqësisë dhe të tyren. Por ata e dinë që bujqësia duhet të kalojë në një model prodhimi më të gjelbër, në mënyrë që kompanitë e tyre të mbeten fitimprurëse në vitet në vijim”, tha ajo.
Presidentja njoftoi në Parlamentin Evropian se do t’i propozojë kolegjit të komisionerëve një tërheqje të propozimit legjislativ për pesticidet, duke nënvizuar se një propozim më i mirë do të bëhet në të ardhmen.
Von der Leyen shprehu shqetësimin se 60 për qind e tokës bujqësore në Europë po mbetet e papunuar dhe kërkoi nga fermerët që këtë tokë djerrë ta vendosin në përdorim. Megjithatë, as kjo garanci nuk ka ndalur rrugën e traktorëve.
Fermerët nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe së fundmi Spanja dhe shumë shtete të tjera kanë bllokuar rrugë dhe institucione të rëndësishme.
Një ndër kërkesat kryesore të tyre është që vendosen rregulla strikte për mallrat që futen nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, kryesisht Ukraina, për të mundësuar që prioritet të ketë prodhimi vendas. (A2 Televizion)