“Izraelitët po marrin një vendim”, Cameron: Situata me Iranin është shumë shqetësuese

Nga Erjon Dervishi
17 Prill 2024, 23:38 | Bota

“Herët apo vonë Izraeli do të godasë”. Kështu është shprehur Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron pas takimit me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Cameron reflekton në fjalën e tij edhe pafuqinë e tij për të ndryshuar planet e Tel-Avivit rreth hakmarrjes hebraike: “Situata është shumë shqetësuese. Është e drejtë të tregojmë solidaritet me Izraelin. Por, është e qartë se izraelitët po marrin një vendim për të vepruar. Shpresojmë që ta bëjnë këtë në një mënyrë jo shkatërruese dhe të zgjuar. Nevoja themelore është të ripërqendrohemi te Hamasi, te pengjet dhe tek ndihma. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu sot, për të folur me qeverinë izraelite, për të biseduar me Autoritetin Palestinez, për t'i shtyrë ato gjëra përpara”.

Benjamin Netanyahu ka mbrojtur qëndrimin e tij përsa i përket reagimit ndaj Iranit. Pas takimit me ministrat e Jashtëm të Anglisë dhe Gjermanisë, kryeministri i Izraelit theksoi se kabineti i luftës është duke menduar dhe do të marrë një vendim shumë shpejt: “Tani vij nga takimet me ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Ata kanë dhënë të gjitha llojet e sugjerimeve dhe këshillave, e vlerësoj, por dua ta bëj të qartë, ne do t'i marrim vendimet tona, dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupi i vendeve të industrializuara G7 njoftuan të gjitha planet për të shqyrtuar sanksione më të ashpra ndaj Iranit, që shihen si synime për të zbutur Izraelin dhe për ta bindur atë të frenojë në hakmarrjen e tij për sulmet e para të drejtpërdrejta iraniane pas dekadash konfrontimi me luftra hibride.   

 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli