Princesha e Uellsit, Kate Middleton, po shërohet në spital, pasi iu nënshtrua një operacioni dhe Mbreti Charles III do t'i nënshtrohet një procedure mjekësore javën e ardhshme.
Njoftimet e papritura shëndetësore janë bërë brenda dy orëve nga njëra-tjetra pasditen e së mërkurës. Detajet në lidhje me shëndetin e anëtarëve të familjes mbretërore zakonisht janë një sekret dhe i njoftohen publikut vetëm në rrethana të kufizuara, kështu që vendimi për të nxjerrë dy përditësime të rëndësishme brenda një dite, ishte i habitshëm.
Pallati Kensington tha se procedura ishte e suksesshme, por princesha nuk pritet të rifillojë detyrat mbretërore për muaj të tërë. Pallati nuk bëri të ditur detaje të mëtejshme rreth gjendjes së saj, por tha se nuk ka lidhje me kancerin. Një deklaratë shtoi se Catherine, kërkon falje për shtyrjen e angazhimeve të planifikuara.
“Bazuar në këshillat aktuale mjekësore, ajo nuk ka gjasa të kthehet në detyrat publike deri pas Pashkëve”, thuhet në një deklaratë.
Ajo po rikuperohet në Klinikën e Londrës, pranë Regent’s Park në Londrën qendrore, spitali më i madh privat i pavarur në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa gjendja shëndetësore e mbretit do të trajtohet javën e ardhshme. Deklarata për operacionin e princeshës erdhi pak përpara se Pallati Buckingham të njoftonte se Mbreti Charles do të shkojë në spital, javën e ardhshme, për trajtimin e një prostate të zmadhuar.
(A2 Televizion)