“Kjo është kohë për luftë”, Netanyahu citon Biblën dhe refuzon të pranojë armëpushimin në Gaza

Nga A2 CNN
30 Tetor 2023, 22:24 | Bota
“Kjo është kohë për luftë”, Netanyahu citon

Duke cituar Biblën, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu iu drejtua sot kombit dhe nënvizoi se “kjo është koha për luftë”, duke i mbyllur derën përfundimisht thirrjeve nga ndërkombëtarët për një armëpushim në Gaza.

Referuar citatit të librit të shenjtë, Netanjahu la të kuptohet se Tel Avivi do t’i shkojë deri në fund luftës më Hamasin, duke lajmëruar Perëndimorët se fitorja e Izraelit kundër barbarisë së Hamasit do të jetë edhe e tyrja.

“Bibla thotë se ka një kohë për paqe dhe një kohë për luftë. Kjo është një kohë lufte, një luftë për një të ardhme të përbashkët. Sot ne vendosim një vijë midis forcave të qytetërimit dhe forcave të barbarisë. Është koha që të gjithë të vendosin se ku do të qëndrojnë. Izraeli do të qëndrojë kundër forcave të barbarisë deri në fitore. Unë shpresoj dhe lutem që kombet e qytetëruara kudo që janë do ta mbështesin këtë luftë. Sepse lufta e Izraelit është lufta juaj, sepse nëse Hamasi dhe boshti i së keqes i Iranit fitojnë, ju do të jeni objektivi i tyre i radhës. Kjo është arsyeja pse fitorja e Izraelit do të jetë fitorja juaj."

Benjamin Netanjahu – Kryeministër i Izraelit

Sipas tij, Izraeli refuzon të pajtohet me një armëpushim, pasi kjo do të ishte e barabartë me dorëzimin ndaj Hamasit dhe terrorizmit.

"Izraeli nuk e filloi këtë luftë. Izraeli nuk e donte këtë luftë. Por Izraeli do ta fitojë këtë luftë," shtoi ai. Hamasi përdhunoi gra dhe i preu kokën burrave gjatë sulmit të tyre të befasishëm më 7 tetor. Kryen krimet më të tmerrshme që mund të imagjinohen. Izraeli po lufton armiqtë e vetë qytetërimit", tha ai.

Netanjahu u pyet gjithashtu në lidhje me raportimet se mbështetja e tij në mesin e popullit izraelit ka rënë ndjeshëm që kur sulmi i Hamasit kapi në befasi agjencinë e inteligjencës së vendit.

I pyetur nëse ai do të tërhiqej, udhëheqësi izraelit tha: "E vetmja gjë që unë synoj të jap dorëheqjen është Hamasi. Ne do t'i hedhim ata në koshin e plehrave të historisë. Ky është qëllimi im. Kjo është përgjegjësia ime. Kjo është ajo që unë po e drejtoj vendin të bëjë. Kjo është përgjegjësia ime tani. Dhe është diçka që unë mendoj se bashkon të gjithë vendin".

Në një lutje për simpati nga komuniteti ndërkombëtar, udhëheqësi izraelit tha se duhet bërë një dallim midis "shënjestrimit të qëllimshëm" të civilëve nga Hamas dhe viktimave "të paqëllimshme" të sulmeve të Izraelit si përgjigje.

Netanjahu po ashtu pretendon se grupi militant ka përdorur njerëzit në Gaza si mburoja njerëzore, duke i kërcënuar me armë për t'i penguar ata të largoheshin nga zona të caktuara.

"Hamasi po bën gjithçka për t'i mbajtur civilët palestinezë në rrezik", shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos