Qytetarët izraelitë po bëhen shënjestër e sulmeve të urrejtjes, mes zgjerimit të operacionit ushtarak të Telavivit në Gaza, ku janë vrarë mijëra vetë. Izraeli i bëri thirrje Rusisë të mbrojë të gjithë hebrenjtë, pasi një turmë e madhe njerëzish mësyu aeroportin e Dagestanit, duke thërritur slogane antisemitiste.
Video të postuara në rrjetet sociale treguan një turmë të zemëruar që vraponte përmes aeroportit të Makhachkala, në kërkim të qytetarëve që mbërrinin në një fluturim nga Tel Avivi. Shumë prej tyre mbanin flamuj palestinezë e thërrisnin “Zoti është i Madh” në gjuhën arabe, teksa pyesnin stafin se ku mund të gjenin pasagjerët izraelitë.
Disa pjesëtarë të turmës u turrën drejt pistës duke rrethuar avionin që gjendej atje. U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë për ta rikthyer situatën nën kontroll pak më vonë. Aeroporti u mbyll, mbrëmjen e së dielës, dhe siç bëri të ditur agjencia ruse e aviacionit do të rihapet përkohësisht të martën. Ajo njoftoi se fluturimet nga Izraeli në Kaukazin verior do të riorientohen përkohësisht në qytete të tjera. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan sakaq, se 60 pjesëtarë të turmës së dhunshme ishin arrestuar. Të paktën 20 persona, përfshirë efektivë të policisë, mbetën të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Kremlini fajësoi ndikimin nga jashtë për dhunën në Dagestan, një rajon i populluar kryesisht nga myslimanë në Kaukazin verior. (A2 Televizion)