“Gati për paqen pas konfliktit në Ukrainë”, Shoigu akuzon perëndimin: Po na çon drejt luftës së madhe

Nga Xhevahir Qardaku
30 Tetor 2023, 15:28 | Bota

“Gati për paqen pas konfliktit në Ukrainë”, Shoigu

Aksi Rusi-Kinë po bashkohet gjithnjë e më shumë kundër Perëndimit. Ky ishte një ndër mesazhet kryesore që u përcollën në edicionin e dhjetë të Forumit Xiangshan, ngjarja më e rëndësishme e sigurisë e organizuar nga Pekini. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoigu, akuzon Perëndimin se po kërkon të përhapë frontin e luftës në Europë dhe t’i çojë fuqitë e mëdha drejt përplasjes së drejtpërdrejtë.

“Politikat e Perëndimit për përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë, përbën kërcënim për një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes fuqive bërthamore, duke na çuar në pasoja katastrofike”, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.

Ministri i Putinit shprehu gatishmërinë e Rusisë për diskutime politike për një zgjidhje pas lufte për konfliktin në Ukrainë, duke kërkuar kështu negociata paqeje. Shoigu nënvizoi rëndësinë që mes të gjitha fuqive bërthamore të garantohet barazia, pasi siç tha ai “anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë përgjegjësinë speciale për të ruajtur paqen dhe stabilitetin global”.

Ai përsëriti idenë e shefit të tij Putin, se për të krijuar një rend të ri global multipolar, nevojitet përditësimi i arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare për ta bërë atë më të qëndrueshme. Kina konfirmon qëllimin për thellimin e bashkëpunimit me Rusinë, ndërsa tenton një afrimitet edhe me Shtetet e Bashkuara në fushën ushtarake. Por kritikat për Amerikën nuk mungojnë.

 “Disa shtete dëshirojnë ta shohin botën në kaos. Krijojmë qëllimisht turbulencë dhe ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve, si dhe nxisin revolucione me ngjyra. Kudo që shkojnë këto vende, aty nuk ka paqe”, u shpreh numri i dy i ushtrisë së Kinës, Zhang Youxia.

Kjo ishte një referencë e qartë për Uashingtonin. Kina dhe SHBA-ja nuk kanë komunikim direkt mes ushtrive respektive që prej sanksionimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili u shkarkua nga qeveria e Pekinit muajin e kaluar pa asnjë shpjegim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos