Përgjigjja ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit, ishte e ekzagjeruar. Ky është qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sinjalizon një krisje totale me qeverinë e drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanajahu. Presidenti Joe Biden konfirmon se operacioni ushtarak izraelit në Gaza ka kaluar çdo vijë të kuqe.
Megjithatë, Tel Avivi bën me dije se ka informuar Amerikën për sulmet e fundit në enklavën palestineze, veprime që janë hasur me kritika të forta pasi janë shënjestruar zona civile. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë operacionin ushtarak në Rafah, në kufirin me Egjiptin, një marrëzi.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve lëshon një alarm serioz ndërkombëtar. UNICEF kërkon përmbajtje nga Izraeli nga sulmet në Rafah, pasi në zonë gjenden më shumë se 600 mijë fëmijë. Bombardimet mund të përkeqësojnë më tej bilancin tragjik, ndërsa aktualisht janë vrarë mbi 27 mijë palestinezë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë.
“Avionët izraelitë janë në qiell dhe ne jemi të lodhur nga lufta. Dëshirojmë ta zbukurojmë qiellin duke lëshuar balona dhe të kthehemi në jetët që kishim”, u shpreh Yamen Abu Rezik, fëmijë palestinez.
“Ne kemi humbur të gjitha lodrat tona, po ashtu edhe miqtë dhe të afërmit. Ashtu si hebrenjtë po fluturojnë avionët e tyre, edhe ne lëshojmë balonat tona. Avionët e tyre sulmojnë, por balonat tona jo”, tha Rana Abu Telah, fëmijë palestinez.
Ndërkohë, organizata humanitare “ActionAid” bën një raportim tepër shqetësues. “Ushqimi në Gaza është me aq pakicë saqë njerëzit po konsumojnë bar”, thuhet në një deklaratë, ndërsa konfirmohet se çdo person në enklavë po vuan nga uria dhe njerëzit kanë vetëm 1.5 litra ujë në ditë për nevojat e tyre. Kushte tepër të këqija raportohen në Rafah, ku jetojnë mbi 1.4 milionë palestinezë. (A2 Televizion)