Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 10%
  • Kujdesi familjar 80%
  • Ndikimi i shoqërisë 10%

Kriza e Detit të Kuq, SHBA-ja dhe Britania bombardojnë bazat e Houthi në Jemen

Nga A2 CNN
12 Janar 2024, 07:49 | Bota

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe nisën bombardimet kundër pozicioneve të Houthi në Jemen, pasi militantët e mbështetur nga Irani, refuzuan të dëgjojnë paralajmërimin për të mos vazhduar sulmet e tyre në Detin e Kuq.

Lajmin e raporton New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë të mbrojtjes. Sipas gazetës, pritet pjesëmarrja e aleatëve të tjerë, përfshirë Holandën, Australinë, Kanadanë dhe Bahreinin, në “aleancën” për të ndaluar grupin e militantëve që të ndërpresin kalimin e anijeve përmes Detit të Kuq.

Këto bombardime shënojnë përgjigjen e parë ushtarake amerikane ndaj asaj që ka qenë një fushatë e vazhdueshme sulmesh me dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas dhe vijnë vetëm një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe disa vende aleate lëshuan një paralajmërim përfundimtar.

Sipas Times dhe mediave të tjera amerikane dhe angleze, shpërthime u dëgjuan në Jemen, vetëm disa orë pasi Rishi Sunak i dha dritën jeshile sulmeve ajrore britanike. 

"Me urdhrin tim, forcat ushtarake amerikane, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kanë kryer me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen, të përdorura nga rebelët Houthi për të minuar lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, shkroi presidenti amerikan Biden.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, i dënoi me forcë sulmet e SHBA-së dhe Britanisë në Jemen, duke i konsideruar ato një veprim arbitrar dhe një shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial. 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu