Qeveria amerikane po shkon drejt rihapjes pas 40 ditëve bllokim. Një marrëveshje që synon t’i japë fund krizës politike kaloi në Senat, duke sjellë paktin e parë mes Republikanëve dhe Demokratëve në Kongres.
Pas një jave negociatash në Uashington, ata që u thyen ishin disa senatorë demokratë që votuan pro marrëveshjes, shkruan A2. Miratimi është vetëm hapi i parë procedural drejt kalimit të një kompromisi për të financuar qeverinë, të mbetur pa dollarë që nga 1 tetori. Por, duhet të kalojë edhe disa pengesa të tjera, përfshirë një votim nga Dhoma e Përfaqësuesve, përpara se punonjësit federalë të kthehen në vendet e tyre të punës. Por, kjo ujdi nuk përfshin zgjatjen e benefiteve për përkujdesjen shëndetësore, Obamacare, prandaj kundërshtohet nga shumë demokratë.
Chuck Schumer, lider i Demokratëve në Senat, u shpreh: “Ne duhet të luftojmë sepse një i moshuar nuk mund të përballojë të paguajë 25 mijë dollarë në vit për sigurimin shëndetësor. Duhet të luftojmë për të mbajtur miliona njerëz larg rrënimit financiar”.
Republikanët pajtohen të votojnë për subvencionet në fillim të dhjetorit. John Thune, lider i Republikanëve në Senat, deklaroi: “Ne kemi senatorë, demokratë dhe republikanë, të cilët janë gati për të punuar në adresimin e asaj krizë në një mënyrë dypartiake”.
Pakti me disa demokratë pritet që të financojë qeverinë amerikane deri në janar. Marrëveshja më e gjerë ka dispozita më të gjata për ndërtimin ushtarak dhe çështjet e veteranëve, degën legjislative dhe bujqësinë.
Për punonjësit federalë, marrëveshja siguron pagesën e mbetur gjatë mbylljes së qeverisë. Pakti i fundit përmbys gjithashtu shkarkimet masive nga puna dhe ndalon largime të tjera këtë vit fiskal.
Tymi i bardhë në Kongres vjen teksa mbyllja e qeverisë po krijonte probleme të mëdha, veçanërisht në sigurinë ajrore, ku me mijëra fluturime u anuluan ose shtynë nga lodhja e kontrollorëve. Madje, u paralajmërua një mbyllje e plotë e hapësirës ajrore nëse një marrëveshje për financimin e qeverisë nuk do të arrihej. (A2 Televizion)