Le Pen e “gjunjëzon” në zgjedhjet europiane, Macron çon Francën në zgjedhje të parakohshme

Nga A2 CNN
9 Qershor 2024, 21:17 | Bota

E pabesueshme ajo që ka ndodhur në Francë në harkun e pak orëve. Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, teksa Presidenti Emmanuel Macron në daljen për mediat pas mbylljes së kutive të votimit për zgjedhjet europiane ka njoftuar shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare.

Partia e Macron është “shkërmoqur” në zgjedhje nga ekstremi i djathtë i rivales së tij historike Marine Le Pen, dhe kreu i Elizesë për herë të parë që nga viti 1997 vendos të shpërndajë Parlamentin.

Ky nuk është një rezultat i mirë për palët që mbrojnë Evropën. Prandaj nuk mund të veproj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kam vendosur t'ju kthej me votim zgjedhjen e deputetit tuaj të ardhshëm. Për këtë arsye sot në mbrëmje po shpërndaj Asamblenë Kombëtare. Është një vendim serioz, por mbi të gjitha është një akt besimi. Franca ka nevojë për një shumicë të qartë për të vepruar në qetësi dhe harmoni”, deklaroi Macron në fjalimin pas disfatës historike, duke treguar se zgjedhjet mund të mbahen në 30 qershor ose 7 korrik.

Lista e partisë së Macron, e kryesuar nga Valérie Hayer mori 15.2% të votave, krahasuar me 31.5% për “RN” e Le Pen, sipas një vlerësimi të bërë nga instituti Ipsos, ndërsa 5 vjet më parë, hendeku midis dy partive ishte jo më shumë sesa 1 pikë përqindje.

Gjatë fushatës së javëve të fundit, kreu i listës së ekstremit të djathtë, Jordan Bardella kishte këmbëngulur vazhdimisht se do të kërkonte një shpërbërje të Asamblesë në rast të fitores dhe këtë thirrje e përsëriti sërish para se Macron ta komunikonte vendimin.

Hendeku i paprecedentë pasqyron një mohim dhe refuzim të ashpër të politikës së udhëhequr nga Emmanuel Macron. Ai nuk mund të bëjë si i shurdhër”, këmbënguli Bardella.

Sakaq Marine Le Pen nuk e fshehu aspak gëzimin teksa komentoi për herë të parë rezultatin e arritur nga Rassemblement National (RN) dhe vendimin e Macron.

"Unë vetëm mund ta mirëpres këtë vendim. Ne jemi gati të qeverisim nëse francezët duan të na japin besimin e tyre në këto zgjedhje të reja. Është një emocion i vërtetë të shohësh këtë forcë të bukur popullore duke u rritur në të gjithë vendin. Presidenti, duke iu përgjigjur apelit të Jordan Bardella, shpalli shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare. Unë vetëm mund ta mirëpres këtë vendim. Ne jemi të gatshëm të ushtrojmë pushtetin nëse francezët na besojnë”, tha ajo.

Zgjedhjet e reja në Francë pritet të zhvillohen 20 deri në 40 ditë nga shpërndarja e Asamblesë Kombëtare, sipas nenit 12 të Kushtetutës.

Ndërkohë në vendin e tretë në Francë renditen socialistët me 14.3%, Franca e Pabindur e Jean-Luc Mélenchon me 8.3%, republikanët e qendrës së djathtë me 7% dhe ambientalistët me 5.6%.

Pjesëmarrja vlerësohet në 52.5% të elektoratit dhe është pjesëmarrja më e madhe në zgjedhjet evropiane në 30 vitet e fundit në Francë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos