Liderët botërorë bëjnë përgjegjëse Rusinë, Kremlini: Nuk ka informacion mbi shkaqet e vdekjes së Navalny

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 13:29 | Bota

Liderët botërorë bëjnë përgjegjëse

Autoritetet ruse nuk kanë informacion mbi shkaqet e vdekjes së Navalny. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai sqaroi se hetimet janë përgjegjësi e Shërbimit Federal të Ndëshkimit dhe se nuk nevojiten udhëzime të mëtejshme nga Kremlini në lidhje me hetimin në vazhdim. Sipas Peskov, presidenti rus Vladimir Putin është informuar për vdekjen e Navalny.

Liderët botërorë ia atribuojnë përgjegjësinë regjimit rus për vdekjen e opozitarit Alexei Navalny. Në një postim në X presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë

"Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën përfundimtare. BE-ja mban regjimin rus përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike. Unë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe atyre që luftojnë për demokracinë në mbarë botën në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin por lufta për liri nuk mbaron kurrë", shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në X.

Ndërsa ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné u shpreh në X se Navalny pagoi me jetën e tij për kundërshtimin e Putinit.

“Navalny pagoi me jetën e tij për rezistencën e tij ndaj shtypjes ruse. Vdekja e tij në një koloni penale na kujton realitetin e regjimit të Vladimir Putin", shkroi ai.

Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë konferencës së përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, tha se Navalny e pagoi me jetën e tij për guximin e tij. Sipas tij Rusia prej kohësh është një regjim dhe jo demokraci.

Edhe presidenti ukrainas  Volodymyr Zelensky tha se "Navalny u vra dhe Putini do të duhet të japë llogari për krimet e tij". 

 Ndërsa kryeministri britanik Sunak, e cilësoi vdekjen e opozitarit rus një tragjedi për popullin rus.

"Tragjedi e madhe për popullin rus. Ky është një lajm i tmerrshëm. Si mbështetësi më i vendosur i demokracisë ruse, Alexei Navalny ka treguar guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Mendimet e mia shkojnë te gruaja e tij dhe populli rus, për të cilin kjo është një tragjedi e madhe", u shpreh kryeministri britanik Rishi Sunak.

Edhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg duke shprehur dyshimet për vdekjen e Navalnyt tha se “Rusia duhet t’iu përgjigjet pyetjeve serioze”.

"Ne sigurisht duhet të vërtetojmë faktet dhe Rusia do të duhet t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve, pyetjeve serioze, rreth shkaqeve. Jam shumë i trishtuar dhe i shqetësuar për këtë lajm. Navalny ishte një zë i fortë i demokracisë dhe NATO kërkoi disa herë lirimin e tij të menjëhershëm. Sot mendimet e mia shkojnë te familja dhe të dashurit e tij", tha Stoltenberg.

Pas këtij reagimi të NATO-s ka reaguar edhe Moska, e cila akuzon perëndimin për përfundime të gatshme. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se ende nuk ka ende asnjë ekzaminim mjekoligjor për vdekjen e Navalny-t

 “Reagimi i menjëhershëm i liderëve të NATO-s ndaj vdekjes së Navalny, në formën e akuzave të drejtpërdrejta kundër Rusisë”, tregon natyrën e këtyre vendeve. Nuk ka ende asnjë ekzaminim mjekoligjor, por përfundimet e Perëndimit janë tashmë gati,” tha Maria Zakharova.

A2 CNN Livestream

Dita jonë