Liderët e G7 mblidhen në Itali / Sfidat e globit, njësoj shqetësuese dhe për shtatëshen më të industrializuar

Nga Denisa Pasholli
12 Qershor 2024, 15:03 | Bota

Liderët e 7 vendeve më të industrializuara të botës, njohur edhe si G7, do të udhëtojnë këtë javë drejt Italisë, për të marrë pjesë në samitin e përvitshëm mes tyre, ndonëse këtë herë në një frymë jo aq pozitive, sidomos pas rezultatit për disa prej tyre, të zgjedhjeve për parlamentin europian. Gjithsesi sfidat dhe shqetësimet janë të njëjta për to, teksa të 7 do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për shumë prej problemeve me të cilat po përballet pjesa tjetër e botës.

Presidenti amerikan Joe Biden po përballet me një elektorat të polarizuar, sidomos me sondazhet që prej muajsh nuk e pozicionojnë mirë përballë rivalit Donald Trump. Po ashtu, kryeministri britanik Rishi Sunak është në mes të fushatës zgjedhore dhe me gjasë po shkon i sigurt, drejt zgjedhjeve parlamentare të korrikut, me bindjen se do të humbasë. Pesha e zgjedhjeve europiane u ndje mbi të gjitha  mbi liderët e Francës e Gjermanisë, i pari çoi vendin  në zgjedhje të reja këtë fund qershori, i dyti refuzoi të tërhiqet. Sondazhet tregojnë rënie të mbështetjes edhe për kryeministrat e Kanadasë e Japonisë.

Vetëm mikpritësja e G7, Giorgia Meloni mbërrin në këtë takim triumfuese, me rezultatin e saj në zgjedhjet për PE, ndonëse në resortin luksoz të Borgo Egnazia, sipas analistëve politikë, do ta ketë të vështirë të bëjë pjesë të agjendës, çështje që shqetësojnë vetë Italinë.

Liderët e 7 vendeve më të zhvilluara të botës do të diskutojnë përgjatë 3 ditëve, nga 13 në 15 qershor, për disa çështje, ku pa diskutim pjesë e agjendës do të jetë lufta në Ukrainë dhe Lindjen e mesme, çështje shqetësuese të tregtisë me Kinën, kërcënimet që vijnë nga Inteligjenca Artificiale dhe disa zhvillime të reja e sfiduese në Afrikë.

Për herë të parë, pjesë e këtij samiti, ndonëse jo në tryezën e diskutimeve kokë më kokë mes të shtatëve, do të jenë edhe të jashtëm, si Papa Françesku dhe liderët të disa prej fuqive rajonale më të mëdha qark globit si India, Brazili, Argjentina, Turqia, Algjeria, Kenia dhe Arabia saudite.

Takimi i G7 këtë vit mbahet në Borgo Egnazia, në rajonin jugor të Pulias, një hotel super luksoz me një restorant me yje Michelin. Në ditën e parë të takimit, mbrëmjen e 13 qershorit, liderët e superfuqive të botës, do të darkojnë në një restorant luksoz pranë qytetit të Brindisit. Qendra mediatike e ngritur për ta do të jetë në qytetin e Barit, 80 km larg nga vendi ku mbahet samiti. Kështu që, Italia është totalisht në dispozicion të botës, që Meloni po e shfrytëzon më së miri edhe për pak publicitet, edhe pse jugu i Italisë tërheq çdo vit milionë vizitorë të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos