Ligjvënësit e PE-së kërcënojnë Komisionin: Marrim veprime ligjore nëse i lirohen fonde të tjera Hungarisë

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 15:54 | Bota

Ligjvënësit e PE-së kërcënojnë Komisionin: Marrim

Anëtarët e Parlamentit Europian kanë paralajmëruar të nisin veprime ligjore ndaj Komisionit Europian, nëse ekzekutivi vijon të lëshojë më tej fondet e ngrira për Hungarinë.

Rezoluta, e miratuar pasditen e së enjtes me 345 vota pro, 104 kundër dhe 29 abstenime, vjen një muaj pasi Komisioni zhbllokoi 10.2 miliardë euro nga fondet e kohezionit për Hungarinë, duke e lejuar vendin të kërkojë rimbursimet e kësaj shume.

Fondet u “shkrinë” pasi Budapesti kaloi në maj reformën gjyqësore me synimin për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të zbutur ndërhyrjen e politikës në gjykata. Reforma ishte kusht i vendosur nga Brukseli.

Megjithatë, Komisioni vijon të mbajë të ngrira 11.5 miliardë euro nga pjesa e akorduar e fondit dhe pjesa më e madhe e Planit të Rimëkëmbjes prej 10.4 miliardë eurosh. Situatën e krijuar, kryeministri Viktor Orbán e ka denoncuar si "shantazh financiar".

Megjithatë, masa për të liruar pjesërisht fondet e ngrira zemëroi Parlamentin, siç u bë e qartë në rezolutën e ligjvënësve, e cila ngre mundësinë e paditjes së ekzekutivit të Ursula von der Leyen nëse zhbllokohen para të tjera.

Një padi e tillë do të ngrihej pranë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg, e cila mund të gjykojë përleshjet ndërinstitucionale.

“Parlamenti do të përdorë cilëndo nga masat ligjore dhe politike që ka në dispozicion nëse Komisioni lëshon fondet pa u përmbushur më parë kriteret ose nëse nuk siguron zbatimin e plotë të legjislacionit përkatës, duke marrë parasysh përgjegjësinë e tij për të vepruar si mbrojtës i Traktateve dhe mbrojtës i interesave financiare të BE-së”, thuhet ndër të tjera në tekst. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos